
Mustafa: Qeveria s’po u ofron zgjidhje qytetarëve që ta kalojnë dimrin e errët
Kriza për energjinë ka prekur tërë botën, por edhe vendin tonë.
Qeveria është duke u kritikuar se nuk po merr masat e duhura në mënyrë që të përgatitet për dimrin, shkruan Zeri.info.
I ashpër ndaj kësaj çështjeje është deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, i cili ka thënë se qeveria ka braktisur qytetarët dhe nuk po u ofron zgjidhje.
“Zoti ua bëftë qaren” tha Qeveria sot dhe i rrudhi krahët”, shkroi ai duke iu referuar ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila sot në një konferencë për media ka bërë thirrje që të kursehet energjia elektrike me qëllim të kalohet dimri, siç e ka konsideruar ajo të vështirë.
“Në vend që të ofrojë zgjidhje për dimrin e ftohtë e të errët që po na afron, në mungesë të energjisë elektrike dhe me çmime marramendëse të lëndëve djegëse për ngrohje, Qeveria sot i paska rrudhur krahët duke ua lënë fajin qytetarëve “duhet ta kurseni rrymën”. Pra, qytetarët këtë dimër të egër s’kanë çka i drejtojnë sytë kah Qeveria, ajo me sot i ka lënë të braktisur”, shkroi Mustafa në Facebook. /Zëri