Bërnabiqi Escobarit: Nëse kushtëzoni Asociacionin, dialogu s’ka kuptim

Bërnabiqi Escobarit: Nëse kushtëzoni Asociacionin, dialogu s’ka kuptim

Aktuale August 06, 2022 - 10:48

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë të shtunën se është krejt i pakuptimtë dialogu nëse formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe kushtëzohet sipas ligjeve të Kosovës.

Ajo iu kundërpërgjigj kështu deklaratës së të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili të premten u shpreh se nuk duhet të ketë Asociacion “shtet brenda një shteti”, dhe ai Asociacion “duhet respektuar ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës”.

Bërnabiqi nuk është optimiste se në takimin e thirrur për 18 gusht në Bruksel mes Aleksandar Vuçiqit dhe Albin Kurtit do të diskutohet rreth Asociacionit, transmeton N1.

“Nëse e vendosni atë në përputhje me ligjet e tyre, e bën të kotë të gjithë dialogun, nëse ata vetë nuk i respektojnë, dhe Prishtina nuk e respekton Kushtetutën e saj. Nëse e respekton, nuk do të kishte ushtri të Kosovës, sepse në atë Kushtetutë thuhet që duhen pyetur serbët, por nuk janë pyetur”, thotë kryeministrja serbe.

Ajo shtoi se Marrëveshja e Brukselit “duhet të jetë mbi të ashtuquajturën Kushtetutë”.

“Dje kam pasur një takim me ambasadorin amerikan Christopher Hill, kam thënë që shpresoj në qasje konstruktive, nuk shoh se ka vend për bisedë me Kurtin, ai nuk ka dëshirë”, shtoi ajo.

Bërnabiqi shqetësohet edhe se përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, sipas saj, ka thënë se nuk mund ta detyrojnë Kosovën të bëjë asgjë, ndërsa BE-ja është garantuese e Marrëveshjes së Brukselit.

“Ne duhet ta ruajmë paqen, sado e vështirë të jetë – nuk ka qenë kurrë më e vështirë”, theksoi kryeministrja serbe.