Berisha: Serbia s’ka ndryshuar nga koha e Millosheviqit, Deliqi e ka vendin në Hagë

Berisha: Serbia s’ka ndryshuar nga koha e Millosheviqit, Deliqi e ka vendin në Hagë

Aktuale August 05, 2022 - 18:29

Ish-komandant i UÇK-së në Zonën e Vërrinit, në Brigadën 125, Zafir Berisha ka folur në lidhje me atë se i e njeh ai gjeneralin serb Bozhidar Deliq, i cili u zgjodh nënkryetar i Parlamentit të Serbisë.

Ai u shpreh se emërimi i Bozhidar Deliqit si nënkryetar i parlamentit të Serbisë, tregon se siç u shpreh ai Serbia është e njëjta si në kohën e Millosheviqit.“Emërimi i Bozhidar Deliqit si nënkryetar i parlamentit të Serbisë, përforëcon qëndrimet tona se Serbia nuk ka ndryshuar nga koha e Millosheviqit dhe është po e njëjta Faktikisht tashmë nuk është zbulimi i ujit të nxehtë në rast se themi se politika aktuale në Serbi, duke pasur si president një ministër të Millosheviqit. Prandaj po besoj se edhe politika vendore, po veçanërisht ndërkombëtare të cilët janë insistues për zbutjen e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, ta kenë parasysh se me kë kemi të bëjmë”, tha ai, për Klan Kosova.

Berisha u shpreh se Deliqi e ka vendin në Hagë, jo në krye të institucioneve.

“Kemi të bëjmë me ata që kanë bërë masakra dhe gjenocid në Kosovë e sidomos rasti konkret Bozhidar Deliq, njëri nga oficierët e lartë të ushtrisë serbe i cili ka operuar edhe në regjionin e Prizrenit, regjion i cili është i mbushur përplot me masakra, sidomos gjatë vitit 1999, mars, prill, maj e deri në përfundim të luftës”.

“Siç janë masakrat në komunën e Suharekës, pastaj edhe në Prizren, duke përfshirë këtu fshatin Landovicë, ku drejtpërdrejt Bozhidar Deliq është përgjegjës, siç është përgjegjës edhe për masakrën në lagjen Tusus, ku janë të ekzekutuar 25 qytetarë të pafajshëm dhe mbi 400 shtëpi të djegura të asaj lagje. Pra bëhet fjalë për një kriminel i cili e ka vendin në Hagë, e jo në krye të institucioneve”, u shpreh tutje ai.