Rohde Petkoviqit: Për Asociacionin kam folur së fundmi në “Slobodno Srpski”

Rohde Petkoviqit: Për Asociacionin kam folur së fundmi në “Slobodno Srpski”

Aktuale August 05, 2022 - 14:12

Një ditë pasi drejtori i të ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, i ka reaguar ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, pasi i njëjti ka deklaruar se vendimet e Kosovës për reciprocitet me Serbinë janë legjitime, ka reaguar vetë diplomati gjerman.

Petkoviqi, duke iu referuar Rohdes vetëm si "përfaqësues i Gjermanisë në Prishtinë", e jo me titullin Ambasador, e akuzoi këtë të fundit se nuk po flet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

E Ambasadori Rohde i tha se për Asociacionin ka folur në paraqitjet e fundit televizive.

"I nderuar zotëri Petkoviq, po, të gjitha marrëveshjet e Brukselit kanë nevojë për zbatim. Për informimin tuaj: Unë kam deklaruar disa herë se krijimi i AKS-së duhet të trajtohet, vetëm së fundmi dhe publikisht në TV në “Slobodno Srpski” dhe “Kallxo Pernime”, dhe bilateralisht me qeverinë e Kosovës në baza të rregullta", tha Rohde në një postim në Twitter.

Petkoviqi dje e akuzoi ambasadorin Rohde se nuk po e thotë të vërtetën.

“Përfaqësuesi Gjermanisë në Prishtinë nuk po thotë të vërtetën! Si ndodh që shkelja e marrëveshjes dhe lëvizjet e dhunshme të Albin Kurtit janë legjitime? Si ka mundësi të jetë legjitime heqja e targave të Kosovës me status neutral nga Prishtina? Si ndodh që përfaqësuesi i Gjermanisë në Prishtinë heshti për këtë?”, shkruan ai.

Tutje ai e ka pyetur ambasadorin gjerman se çka po ndodhë me formimin e Asociacionit dhe se çka po bën Gjermani lidhur me këtë çështje.

"Si ka mundësi që është legjitim konfiskimi i dokumenteve personale nga serbët në Kosovë e Metohi? Ku shkruan kështu? Çfarë ndodhi me themelimin e AKS-së të cilën serbët e kanë pritur për gati 10 vjet, e cila është e vetmja gjë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit? Pse Gjermania nuk bëri asgjë për AKS-në? Përpara çdo interpretimi të njëanshëm, lexoni me kujdes marrëveshjet e mëparshme”, përfundoi Petkoviqi. /Zëri