Eksperi amerikan për Ballkanin: Kurti veproi mençur me shtyrjen e zbatimit të reciprocitetit me Serbinë
Foto: Laura Hasani

Eksperi amerikan për Ballkanin: Kurti veproi mençur me shtyrjen e zbatimit të reciprocitetit me Serbinë

Aktuale August 04, 2022 - 16:54
Image

Profesori amerikan, njëherësh ekspert i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben-Meir, përmes një interviste për gazetën “Zëri”, e cilësoi si “veprim të mençur” të kryeministrit Albin Kurti vendimin për ta shtyrë zbatimin e reciprocitetet për dokumentet serbe, dhe atë për targat, pas tensioneve të së dielës së kaluar.

Ben-Meir nuk dha garanci që një tension mes dy palëve nuk mund të ndodhë sërish, ndërsa shtoi se BE-ja mund të qetësojë situatën, duke shtyrë Kosovën dhe Serbinë drejt një zgjidhjeje për targat dhe dokumentet e identifikimit.

Sa i përket rrezikut të një konflikti të ri mes Kosovës dhe Serbisë, profesori amerikan tha se ekziston mundësia për dhunë, por jo edhe për konflikt të armatosur, duke përmendur prezencën e NATO-s në Kosovë, që sipas tij nuk do të lejonte një gjë të tillë.

“Shtyrja e zbatimit të reciprocitetit nga kryeministri Kurti ishte një veprim i mençur. Nuk ka asnjë garanci që tensioni mes dy palëve nuk do të intensifikohet në të ardhmen. Thënë kështu, ka një mundësi që BE-ja të qetësojë atmosferën midis dy palëve dhe të avancojë një zgjidhje për të zgjidhur konfliktin për targat. Gjithmonë ekziston mundësia që pas një muaji të ketë një tension të ri, por këtu mund të luajë një rol të rëndësishëm BE-ja për të parandaluar që kjo të ndodhë”, ka thënë Ben-Meir për “Zërin”.

Më tej profesori amerikan, ka këshilluar që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë gjithçka që mundet për t'i trajtuar serbët etnikë në veri të Kosovës njësoj si çdo shqiptar etnik

“Pjesa veriore e Kosovës, e cila është e banuar kryesisht nga serbët kosovarë, nuk do të qetësohet shpejt. Serbët në këtë rajon inkurajohen vazhdimisht të ndajnë Qeverinë qendrore në Kosovë dhe në fakt Beogradi kërkon ta aneksojë atë rajon në tërësi. Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Kurti, duhet të bëjë gjithçka që mundet për t’i trajtuar serbët etnikë në veri të Kosovës njësoj si çdo shqiptar etnik. Qeveria duhet të demonstrojë se nuk bën dallime ndërmjet këtyre të dyjave, duke pasur parasysh faktin se këta serbë janë qytetarë të vetë Kosovës. Unë besoj se drejtimi i njëfarë zhvillimi ekonomik nga Qeveria qendrore e Kosovës do të jetë jashtëzakonisht i dobishëm dhe do t’ua dërgojë një mesazh të qartë serbëve në atë rajon, Beogradit dhe BE-së, se Qeveria nuk bën dallime mes qytetarëve të saj, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike” thotë ai.

Sipas Ben-Meir, tensionet e fundit jo domosdoshmërisht kanë shtyrë një marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë, ai përmend faktin se dy vende arrijnë një marrëveshje pikërisht për shkak të një shpërthimi krize mes tyre.

“Jodomosdoshmërisht. Shumë herë, dy vende arrijnë një marrëveshje pikërisht për shkak të një shpërthimi krize mes tyre. Ideja këtu nuk është të rivendoset status quo, por të kërkohet një përparim që mund të lejojë një pushim prej një muaji. Kjo sigurisht që nuk do të çojë në një marrëveshje përfundimtare mes dy palëve për çështje të tjera, përveç targave dhe atyre për dokumente në kalimet kufitare”, thotw Ben-Meir.

Në fund eksperti amerikan tha se gjithmonë ekziston rreziku i dhunës, por në këtë rast, asnjëra palë nuk dëshiron të përfshihet në ndonjë aktivitet të dhunshëm, veçanërisht sepse forcat e NATO-s janë ende të stacionuara në Kosovë dhe gjithashtu do të parandalojnë çdo konflikt të mundshëm të dhunshëm në çdo pjesë të Ballkanit. “Është e panevojshme të thuhet se lufta në Ukrainë mund të ketë forcuar më tej vendosmërinë e Putinit për të destabilizuar Ballkanin, por nuk besoj se vetë Rusia do të përfshihet në ndonjë aktivitet të dhunshëm në shtetet ballkanike, duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kroacia janë shtetet kryesore në Ballkan që tashmë janë anëtarë të NATO-s”, shtoj ai. /Zëri