Haradinaj: Kurti është bërë “good guy”, nuk e “format” më askush
Foto: Laura Hasani

Haradinaj: Kurti është bërë “good guy”, nuk e “format” më askush

Aktuale August 04, 2022 - 11:40

Kryetari i AAK-së, deputeti Ramush Haradinaj, e quajti kryeministrin Albin Kurti “good guy”.

Duke folur në Kuvend për shtyrjen e zbatimit të reciprocitetit me Serbinë, Haradinaj tha se Kurti ka hyrë në qorrsokak dhe se e kanë detyruar ndërkombëtarët t’i tërheqë pjesëtarët e policisë.

Madje ai ka thënë se më të respektuar janë kriminelët në veri sesa Kurti.

“Deputetët e Vetëvendosjes janë të ekzaltuar sepse ndërkombëtarët po e lëvdojnë atë. Kjo për shkak se kryeministri i tyre u bë ‘good guy’. Vërtet Kurti është bërë ‘good guy’, ja ku e keni. Por, është një problem këtu me ‘good guy’. Sikur t’ishte nisur gjithë kohën si ‘good guy’, nuk kish pas problem, por ky është nisë si i forti edhe u mundu me ia ndërtu disa pozicione vendit të vet, politikës së vet, qeverisë së vet, si i forti. Ja ku ka përfunduar – ‘good guy’. Shko para, ktheu mrapa, shko para, ktheu mrapa – kur të duan, çka t’i thonë. Dhe a e dini kush? Lajçaku! Sepse Vuçiqi e thirr Lajçakun, dhe ai e gjen kënd ta thërrasë dhe i thonë ‘step back’ (ktheu mbrapa). Kjo është Kosova sot”, tha ndër të tjera Haradinaj në fjalimin e tij në Kuvend.

Tutje, ai pyeti kryeministrin se a do ta zgjidhë situatën në veri, si një “good guy”, ndërsa shtoi se vendi aktualisht është në një qorrsokak, por theksoi se “ka mundësi të dalë nga kjo situatë kryeministri ynë, pa u bë menjëherë ‘problematic guy’, veç t’i kryejmë disa punë të shtëpisë”.

“Por, punët e shtëpisë me i kry ky kryeministër, që po më pëlqen që u bë ‘good guy’, duhet me i rrit rrogat e policëve që po i çon në veri, e vet po rrin në jug. Jepju rroga, shtesa, garanca, sigurime pensionale e invalidore. 1 shtatori vjen shpejt, dhe është marre që Kosova sa herë të niset të kthehet mbrapa. Vetëm në qeverisjen e LVV-së po kthehemi mbrapa. Asnjëherë nuk jemi kthyer mbrapa në veri. Vetëm me këtë ‘good guy’ po kthehemi. Dhe dalin lëvdohen se janë në koordinim?! Por, lëvdohuni ndonjëherë që jeni në koordinim me kry punën deri në fund. Përndryshe, mos u nisni hiç. E vetmja dalje është: kthej fuqitë tua kryeministër, me ato që ke hyrë në pushtet e politikë, bazohu te vendi yt, te njerëzit tu, te strukturat e institucionet tua. Imagjino sot, më të respektuar janë kriminelët në veri që shpërndajnë armë publikisht e më në konsideratë i marrin strukturat tjera ndërkombëtarët sesa ty. Ty nuk të format më askush, për ty vendosin tjerët. Ty kanë më të tregu kur ki mu nis, ku ki me shku, kur ki mu kthy. ‘Good guy’ munesh me qenë kur e din saktë çka je duke bërë, jo me u kthy mbrapa, përndryshe hiç mos u nis”, theksoi Haradinaj.

Sipas ish-kryeministrit Haradinaj, Kurti është dashur në këtë kohë të shkojë në Washington e të zgjidhë çështjen Kosovë-Serbi e jo të shkojë në Bruksel që të merret vesh për reciprocitetin, çështje e cila, sipas tij, nuk do të duhej të ishte temë tani.

“Me 18 gusht ky shkon në Bruksel. A e din për çka ka me folë? Për reciprocitetin, që s’duhet më të jetë temë! Më mirë do të ishte të shkonte në Washington te presidenti Bideni për të mbyllur punën e marrëveshjes për njohje reciproke. Me këtë qasjen parap-mbrapa, ka mjaftu që t’ia vazhdosh edhe një herë pagën Lajçakut. Kanë me të turpëru edhe më keq sesa kësaj radhe. Nuk je duke punu veç për vete, por në emër të një vendi – ki obligime ndaj këtij vendi”, u shpreh Haradinaj.