Rusinovci: Sivjet, prodhimtari e ulët gruri në Kosovë

Rusinovci: Sivjet, prodhimtari e ulët gruri në Kosovë

Aktuale July 07, 2022 - 12:23

Sigurimi i grurit këtë vit ka qenë problem i madh, duke pas parasysh reshjet atmosferike, teksa problem tjetër ka qenë edhe çmimi i lartë i grurit në muajt e fundit si pasojë e mungesës së tij në tregjet botërore për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

E pikërisht për sfidat e fermerëve dhe atyre që punojnë dhe merren me këtë fushë u diskutua në emisionin e sotëm “Aktual” në RTK, ku të ftuar në fushat e korreshirjes ishin Imer Rusinovci, profesor i Bujqësisë në Universitetin e Proshtinës, Skender Hyseni, kombajner dhe Valon Vehapi fermer.

Imer Rusinovci tha se ky vit konsiderohet që është viti me prodhimtarinë më të ulët në krahasim me vitet e kaluara. “Arsyet janë të shumta dhe një prej tyre është edhe stërpjekja e grurit qe ndodhi nga vala e nxehtë, sepse korrjeshirjet këtë vit filluan më herët se vitet e kaluara, dhe për këtë fakt do të kemi prodhim diku afër 30 përqind më të ulët se në vitet e kaluara. Ne duhet t’i ndihmojmë kombajnerët dhe fermerët tanë që buka të sigurohet nga arat tona dhe për këtë qeveria duhet t’i ndihmojë fermerët qoftë në aspektin profesional, qoftë në atë material”, ka theksuar Rusinovci.

E Skender Hyseni, kombajner, tha se nuk kanë asnjë lloje ndihme materiale, madje as edhe ndonjë benificion për naftë. “Nafta ka pasur kosto shumë të lartë dhe ne është dashtë personalisht ta sigurojmë atë. S’kemi pasur kurrëfarë ndihme”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Valon Vehapi, i cili ka tokë të mbjellurë me grurë, tha se për fermerët ky vit do të mbahet mend shumë gjatë, pasi gruri është mbjellë në kushte tepër të këqija atmosferike.