Miratohet doza e katërt e vaksinës anti-COVID në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Miratohet doza e katërt e vaksinës anti-COVID në Kosovë

Aktuale July 07, 2022 - 09:54

Ministria e Shëndetësisë ka miratuar rekomandimin e Komitetit për imunizimin e popullatës me vaksinën kundër COVID-19 për lejimin e vaksinimit me dozën e katërt të grup-moshës së popullatës mbi 60 vjeç, të paktën 4 muaj pas marrjes së dozës së tretë.

MSH-ja ka njoftuar se ky rekomandim i Komitetit është mbështetur në rekomandimet rreth vaksinimit COVID-19, të dhëna nga organizatat kredibile ndërkombëtare si EMA dhe CDC.

Vaksinimi bëhet në qendrat e vaksinimit në kuadër të Kujdesit Parësor Shëndetësor në komunat e Kosovës.

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të vaksinohen kundër COVID-19, pa asnjë hezitim, për të parandaluar rritjen e rasteve të COVID-19, format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet nga kjo sëmundje.

Po ashtu MSH-ja ka rikujtuar se me dozën e parë dhe të dytë mund të vaksinohen të gjithë personat e moshës mbi 12 vjeç, me dozën e parë, të dytë dhe të tretë mund të vaksinohen të gjithë personat e moshës mbi 18 vjeç, me dozën e katërt mund të vaksinohen personat e moshës mbi 60 vjeç, me kusht që të kenë kaluar katër muaj nga marrja e dozës së tretë. /Zëri