Johnson: S’do të lejojmë që Ballkani të bëhet shesh lojërash për Putinin

Johnson: S’do të lejojmë që Ballkani të bëhet shesh lojërash për Putinin

Aktuale June 30, 2022 - 12:21

Britania e Madhe do të dërgojë ekspertë ushtarakë në Bosnjë e Hercegovinë për të kundërshtuar ndikimin rus, si dhe “për të forcuar misionin e NATO-s dhe për të promovuar stabilitetin dhe sigurinë”, ka thënë Qeveria britanike të enjten. 

“Ne nuk mund të lejojmë që Ballkani Perëndimor të bëhet një tjetër shesh i lojërave për synimet shkatërruese të [presidentit rus, Vladimir] Putinit”, thuhet në deklaratën e kryeministrit britanik, Boris Johnson.

“Duke ndezur flakët e secesionizmit dhe sektarizmit, Rusia përpiqet t’i kthejë mbrapsht sukseset e tri dekadave të fundit në Bosnjë e Hercegovinë”, shtoi ai.

Andaj, tha Johnsoni, kjo është arsyeja që “ne po forcojmë mbështetjen për Bosnjë e Hercegovinën”.

“Ne po i përgjigjemi thirrjes së miqve tanë për të ndihmuar në mbrojtjen e paqes”, tha ai.

Sipas njoftimit të Qeverisë britanike, dy ekspertë për luftën kundër dezinformimit dhe reformën e mbrojtjes, do të punojnë me Forcat e Armatosura të Bosnje-Hercegovinës dhe NATO-n, për të ruajtur paqen dhe sigurinë në këtë vend.

Britania do të sigurojë, po ashtu, fonde për rritjen e sigurisë kibernetike atje.

“Bosnjë dhe Hercegovina aktualisht po përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial prej pas luftës dhe liderët secesionistë po punojnë në mënyrë aktive për të krijuar ndarje dhe konflikte të mëtejme. Këto plane mbështeten nga Moska”, thuhet në deklaratën e Qeverisë britanike.

Shqetësimet e Perëndimit për Bosnjë e Hercegovinën janë rritur qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, ka qëndruar në Sarajevë më 26 maj, ku ka premtuar se vendi i saj do të ndihmojë në trajnimin e ushtrisë së Bosnjës.

Bosnjë e Hercegovina, që pas përfundimit të luftës më 1995, është e ndarë në vija etnike: me Federatën Myslimane-Kroate, në njërën anë, dhe Republikën Sërpska, të banuar me shumicë serbe, në anën tjetër.

Udhëheqësi i serbëve, Millorad Dodik, që është edhe anëtar i presidencës trepalëshe të Bosnjës, ka disa muaj që ka intensifikuar përpjekjet për të ndarë Republikën Sërpska nga pjesa tjetër e territorit.

Për këtë plan, analistë, por edhe disa zyrtarë, thonë se Dodiku ka bekimin e Rusisë.

Më 17 qershor, Dodiku ka takuar në Shën Petërsburg presidentin rus Vladimir Putin.

Ai ka thënë se ka marrë ftesë të re nga Putini për një vizitë edhe në shtator.