Asamblisti i LDK-së në Kamenicë dënohet me 1200 euro gjobë, s’e deklaroi biznesin e djalit të tij

Asamblisti i LDK-së në Kamenicë dënohet me 1200 euro gjobë, s’e deklaroi biznesin e djalit të tij

Aktuale June 30, 2022 - 11:32

Sejdi Kurteshi, asamblist i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Komunën e Kamenicës, është dënuar me 1 mijë e 200 euro gjobë për mosraportim të pasurisë.

Aktgjykimi ndaj Kurteshit u shpall të enjten nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Dega në Kamenicë, Sadri Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, i akuzuari Kurteshi paraprakisht me avokatin e tij, Selami Rexhepi, më 28 qershor të këtij viti kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë Themelore në Gjilan për pranimin e fajësisë, e cila marrëveshje është aprovuar nga gjykata në fjalë.

Sipas kësaj marrëveshjeje, fillimisht Kurteshi është dënuar me 300 euro gjobë dhe tre muaj burgim, me ç’rast dënimi me burgim me pëlqimin e tij i është zëvendësuar me 900 euro gjobë, në total 1 mijë e 200 euro gjobë.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 16 maj 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj Sejdi Kurteshit, me arsyetimin se ai nga 1 deri më 31 mars 2021, në cilësinë e këshilltarit të Asamblesë Komunale në Kamenicë, ka qenë i detyruar ta bëjë deklarimin e pasurisë për vitin 2020, mirëpo i njëjti këtë nuk e ka bërë.

Sipas Prokurorisë, Kurteshi nuk i ka paraqitur të dhënat e sakta, duke mos shënuar në formularin e deklarimit të pasurisë biznesin e djalit të tij T.K., “Kashmiri” SHPK, i vërtetuar nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK) dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Me këtë, Sejdi Kurteshi akuzohej se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, nga Neni 430, paragrafi 2 i Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.