
Ish-deputeti i PDK-së viziton Veselin në Hagë: Të fala keni nga çlirimtarët
Ish-deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha ka vizituar ish-krerët e UÇK-së, të cilët janë duke u gjykuar në Hagë.
Sejdiu ka thënë se është shumë e vështirë që ta pranosh faktin se ata të cilët krijuan historinë po mbahen padrejtësishtë në Hagë, raporton Zeri.info.
Ai më tej tregoi për gjendjen e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, për të cilin tha se ishte i buzëqeshur dhe me motiv të lartë.
“Fillova të ndihesha më mirë kur në një dhomë të veçanet e me një përqafim të ngrohët u përshëndeta me Kryetarin Kadri Veseli.Ai me buzëqeshjen e tij, sharmin e tij dhe motivin e tij të lartë që ka gjithmonë ma krijoi përshtypjen qe nuk isha në atë ambient por sikur isha për vizitë në zyrën e tij në Kuvendin e Kosovës”, shkroi ai.
Ish-deputeti më tej shtoi se “E pyeta për Presidentin, Bacën Jakup, Rexhen dhe çlirimtarët e tjerë, fatmirësisht të gjithë ishin mirë dhe me motive të lartë. Pata dëshirë që t’i takoj të gjithë por ishte e pamundur për shkak të kohës së shkurtër të vizitave që kishin”, shkroi ai në postimin në Facebook.
Hoxha ka thënë se është i bindur në pafajësinë e tyre dhe se shpreson që së shpejti ish-krerët të kthehen në Kosovë.
“Ata janë krenaria jonë, liria jonë. Unë jam thellë i bindur në pafajësinë e tyre dhe pres që shpejt do t’i kemi në mesin tonë, ata i duhën Kosovës, familjeve të tyre dhe popullit shqiptarë.Të fala të përzemërta nga çlirimtaret!”, shkroi ai ndër të tjera. /Zëri
