Samiti BE - Ballkan Perëndimor, pa rezultate

Samiti BE - Ballkan Perëndimor, pa rezultate

Aktuale June 23, 2022 - 14:46

Siç ishte paralajmëruar, Samiti i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor përfundoi pa rezultate konkrete. Vazhdon bllokimi i çeljes së negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Takimi i nivelit të lartë mes krerëve të qeverive dhe shteteve të 27 vendeve anëtare me krerët e Ballkanit Perëndimor që presin anëtarësimin përfundoi të enjten (23.04) në Bruksel pa rezultate konkrete. Siç u kuptua që të mërkurën, pas rrëzimit të qeverisë bullgare një ditë më parë, bllokada e çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ende vazhdon, siç bëri të ditur një diplomat në Bruksel pas katër orë bisedimesh, shkruan Dpa. Afrim nuk ka pasur as me Serbinë në lidhje me çështjen e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Serbia, vend që ka çelur me negociatat me BE-në, refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë tradicionalisht mike.

Madje të enjten edhe konferenca e planifikuar për shtyp e presidentit të Këshillit të BE-së Charles Michel me presidentin francez Emmanuel Macron dhe presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, u anulua për shkaqe kohore. Gjatë së enjtes pasdite krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së fillojnë Samitin e BE-së, ku bëhet fjalë për dhënien e statusit kandidat për në BE Ukrainës dhe Moldavisë. Pritet një vendim pozitiv i Samitit për të dy vendet, kurse Gjeorgjia pritet të marrë vetëm "një perspektivë europiane". /DW