Tahiri Kurtit: Kryeministër qetësohu e mos e tensiono Kuvendin, votoje Trustin

Tahiri Kurtit: Kryeministër qetësohu e mos e tensiono Kuvendin, votoje Trustin

Aktuale June 23, 2022 - 13:21

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se është hipokrizi ta dëgjosh nga kryeministri Kurti se me tërheqjen e 30% të Trustit shkatërrohet skema pensionale e vendit.

Sipas Tahirit, nëse kjo do të ishte e vërtetë, Fondi Pensional do të shkatërrohej edhe me tërheqjen e 10% të Trustit, që pati ndodhur në qeverisjen e kaluar.

Tutje Tahiri u shpreh se kryeministri Kurti nervozizmin që e ka nga performanca e dobët qeverisëse po e shpërfaq në seancë.

"Kryeministri po na tregon edhe se si duhet e çka duhet të flasë një deputet. Unë deri tani nuk dëgjova asnjë fakt nga kryeministri pse nuk duhet të ndodhë tërheqja e Trustit. Ju jeni mjeshtër i mashtrimit të opinionit publik, kryeministër. A mund të na tregoni pse nuk u rrënua Fondi Pensional kur u tërhoqën 10%?", iu drejtua Tahiri kryeministrit.

"Ju nuk e keni marrë asnjë veprim që prek direkt mirëqenien e qytetarëve. Flisni për rritje enorme ekonomike, por kjo rritje nuk shihet ne terren. A mund të na tregoni ku po e sheh atë rritje ekonomike. Kerkesa për tërheqje vjen për shkak të pazotësië suaj për zgjidhjen e problemeve, për të cilat juve ju takon si kryeministër", u shpreh Tahiri tutje.

"Të thuash se me tërheqjen e 30% të Trustit rrënohet skema e Fondit Pensional është hipokrizi. Gjendja sot është tepër e keqe. Nuk ka logjikë me udhëheq Qeverinë e mos me ofru asnjë zgjidhje konkrete", përfundoi Tahiri.