Testi i Arritshmërisë, pak mbi 50%

Testi i Arritshmërisë, pak mbi 50%

Aktuale June 23, 2022 - 12:06

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka publikuar sot rezultatet e Testit të Arritshmërisë për klasat e nënta, sipas të cilave arritshmëria mesatare është 50.75 për qind.

Ministria ka njoftuar se në pjesën e parë të testit arritshmëria e shprehur në përqindje në lëndët e përfshira në këtë pjesë është 54.4, ndërsa e ndarë sipas lëndëve është: Gjuhë shqipe - 57.5, gjuhë angleze – 74.1, histori – 42.1, gjeografi – 50.5.

Ndërsa, në pjesën e dytë të testit, arritshmëria është 47.1 për qind dhe e ndarë sipas lëndëve është: Matematikë – 46.8, informatikë – 52.1, fizikë – 45, kimi – 41.3 dhe biologji – 51.2.

Testit të Arritshmërisë këtë vit i janë nënshtruar rreth 24 mijë nxënës të klasave të nënta. /Zëri