Gjermania zgjat mandatin e forcave të KFOR-it: “Ekziston potenciali për përshkallëzim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, veçanërisht në veri”

Gjermania zgjat mandatin e forcave të KFOR-it: “Ekziston potenciali për përshkallëzim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, veçanërisht në veri”

Aktuale June 23, 2022 - 10:07

Gjermania më 22 qershor ka zgjatur mandatin e misionit paqeruajtës të forcave në Kosovë (KFOR), të udhëhequra nga NATO-ja. 

Aktualisht janë 80 ushtarë të Bundeswehr-it të vendosur në misionin e KFOR-it, i cili numëron 3,700 trupa - personel ushtarak. Vendimi e bën Gjermaninë kontribuuesin e tretë më të madh në KFOR, pas Italisë dhe Shteteve të Bashkuara. 

“Përkushtimi ynë në terren me njerëzit në Kosovë dhe në përgjithësi me njerëzit në rajonin e Ballkanit Perëndimor është më i rëndësishëm se kurrë këto ditë, sepse ne jemi dëshmitarë të një lufte brutale në mes të Evropës”, tha në Bundestag të mërkurën Thomas Hitschler, sekretari i Shtetit në Ministrinë Gjermane të Mbrojtjes, raporton Euroactiv, transmeton Zeri.info.

“Dhe kjo ka gjithashtu pasoja këtu në Evropën Perëndimore, si dhe, veçanërisht, në Ballkanin Perëndimor multietnik. Rusia ka pasur gjithmonë një interes të konsiderueshëm në destabilizimin e rajonit. Kjo është gjithashtu një mënyrë për të ushtruar presion ndaj Bashkimit Evropian”, shtoi ai.

Ndërsa mocioni për zgjatjen e operacionit thotë se situata aktualisht është stabile, theksohet se ekziston potenciali për përshkallëzim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, veçanërisht në veri.

“Në sfondin e luftës së agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, shqetësimet po rriten për përpjekjet ruse për të destabilizuar rajonin”, thuhet në mocion.

Serbia mbetet një nga aleatët më të afërt të Rusisë në rajon, pasi qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiq deri më tani ka refuzuar të miratojë sanksione kundër Rusisë, pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga Bashkimi Evropian.

“Në dritën e këtyre zhvillimeve, operacioni i NATO-s vazhdon të mbetet në interes të strategjisë së sigurisë së Gjermanisë në rajon”, thuhet në mocion.

Për të garantuar sigurinë në Ballkanin Perëndimor, qeveria gjermane ka zgjedhur gjithashtu të kontribuojë me personel në forcën stabilizuese të BE-së në Bosnjë (EUFOR-ALTHENA) – diçka që Gjermania nuk e ka bërë që nga viti 2012. Bundestagu do të votojë mbi mocionin përkatës për t'iu bashkuar operacionit të premten. /Zëri