Haradinaj për Marrëveshjen Energjetike: Nëse Serbia e zbaton, s’është keq

Haradinaj për Marrëveshjen Energjetike: Nëse Serbia e zbaton, s’është keq

Aktuale June 21, 2022 - 15:02

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur për Marrëveshjen për Udhërrëfyesin për Energjinë mes Kosovës dhe Serbisë, e cila u arrit sot në Bruksel.

Haradinaj ka thënë se me këtë marrëveshje nuk preket sovraniteti energjetik i Kosovës, transmeton Zeri.info.

Ai shtoi se nëse pala serbe e zbaton Udhërrëfyesin që u nënshkrua sot, nuk është keq në krahasim me gjendjen e tanishme.

“Pra e tëra, siç po thuhet në këtë marrëveshje, bazohet në marrëveshjet e mëparshme për energjinë, të viteve 2013/2015, veçse këtu janë vënë edhe afatet kohore”, shkroi Haradinaj.

Shkrimi i plotë:

Qëndrimi im për Marrëveshjen me Serbinë për Energjinë

Sipas kësaj marrëveshjeje, nuk preket sovraniteti energjetik i Kosovës, meqë ai është vendosur me Marrëveshjen e re të kyçjes KOST-ENTSO-E, ku ndërkombëtarisht njihen kufijtë energjetikë të Kosovës, në kufijtë shtetërorë dhe operimi i pavarur i KOSTT-it nga EMS (Serbia), si zonë rregulluese brenda sistemit rregullator me OST (Shqipërinë). Operimi i KOSTT-it brenda Bllokut me Shqipërinë, siç e dini, është vendosur me marrëveshjen e njohur edhe nga ENTSO-e, me 26.11.2019.

“Roadmap” për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, aq sa pash në mediat elektronike i paska 9 pika.

Pika 1 ka qenë edhe pjesë e Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT - ENTSO-E, nënshkruar nga unë;

Pika 2 është e re, dhe sipas mendimit tim është në rregull;

Pika 3, që ndërlidhet me aktivitetet me KOSTT ka qenë në planin aksional të Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT - ENTSO-E, kurse ato aktivitetet tjera janë të reja nga Marrëveshja e Kyçjes me ENTSO-E, por që bazohen në Marrëveshjen e Energjisë të vitit 2015;

Pika 4 ka qenë në planin aksional të Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT - Entso-E;

Pika 5 është e re por që bazohet në Marrëveshjen për Energji të vitit 2015, që është në rregull;

Pika 6 i jep pak më shumë autoritet Elektrosever, pasi që për planin investiv dhe zhvillimor për infrastrukturën e rrjetit transmetues dhe të shpërndarjes, duhet konsultuar Elektrosever.

Pika 7, ERO (ZRRE) aprovon në princip planet zhvillimore dhe të mirëmbajtjes. Ndoshta për shkak të afateve të ndërlidhura e kanë vënë “në princip”, pasi që aprovimi i këtyre planeve bëhet deri në Prill të vitit përkatës përmes tarifave;

Me sa po kuptoj me Pikën 3, Elektroseverit përmes marrëveshjeve që do bëhen me KEDS, disa shërbime do të nënkontraktohen tek Elektrosever, sipas Marrëveshjes së Energjisë 2013/2015.

Nëse pala serbe e zbaton këtë “roadmap”, nuk është keq në krahasim me gjendjen e tanishme. Pra e tëra, siç po thuhet në këtë marrëveshje bazohet në marrëveshjet e mëparshme për energjinë të viteve 2013/2015, veçse këtu janë vënë edhe afatet kohore.