Vuçiqi dhe Rama, nga shkëndijat deri te miqësia

Vuçiqi dhe Rama, nga shkëndijat deri te miqësia

Aktuale May 25, 2022 - 15:53

Dikur ka qenë “i nderuari Edi Rama”, sot është “Edi” – kështu janë zhvilluar ndër vite marrëdhëniet ndërmjet presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. 

Prej përplasjeve që patën gjatë takimit të parë zyrtar në Beograd, në vitin 2014, për shkak të statusit të Kosovës, është arritur deri aty që Vuçiqi, në vitin 2021, të “mbrojë” Ramën nga kritikat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për shkak të nismës rajonale “Ballkani i Hapur”.

Sot, Vuçiqi dhe Rama janë krah për krah në promovimin e “Ballkanit të Hapur”, ku anëtare janë: Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Kjo nismë parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, ndërmjet këtyre tri vendeve.

“Besoj se kjo është një marrëdhënie personale miqësore që është ndërtuar me kalimin e kohës, por edhe një interes, në radhë të parë rajonal”, tha për Radion Evropa e Lirë Stefan Surliq nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd.

Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet dy liderëve rajonalë, Surliqi shtoi se Serbia dhe Shqipëria shohin se pa atë bashkëpunim, pavarësisht problemit të Kosovës, nuk ka të ardhme të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Politologu nga Tirana, Ben Andoni, tha për Radion Evropa e Lirë se të dy e kanë ndihmuar njëri-tjetrin për t’u afirmuar.

“Vuçiqi i dha mundësi Ramës dhe ky anasjelltas, njëri-tjetrit, për t’u shprehur për Kosovën sipas interesave të tyre, respektivisht në Beograd dhe Tiranë, duke bërë të fitojnë shumë pikë: Rama në Kosovë, kurse Vuçiqi në mjedisin nacionalist, por edhe te serbët e Kosovës”, tha Andoni.

Për shkak të Kosovës, pavarësinë e së cilës Beogradi nuk e njeh, ka pasur tensione ndërmjet Vuçiqit dhe Ramës në vitet e kaluara. Shqipëria ishte ndër vendet e para që e pranoi pavarësinë e Kosovës.

Sot, të dy thonë se nuk pajtohen rreth Kosovës, por, megjithatë, mund të bisedojnë.

Në takimin e parë, Vuçiqi akuzoi Ramën për provokim

Aleksandar Vuçiq nuk e fshehu se sa e nervozoi Edi Rama gjatë vizitës së tij në Beograd, në nëntor të vitit 2014, kur në një konferencë të përbashkët për media, Rama tha se pavarësia e Kosovës është realitet.

“Dhe, sa më shpejt ta pranojë Serbia këtë, aq më shpejt do të ecim përpara si rajon. Qëndrimet tona ndryshojnë, por kjo nuk duhet të na pengojë t’ia themi të vërtetën njëri-tjetrit”, tha Rama.

Aleksandar Vuçiq, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Serbisë, u përgjigj se nuk e priste provokimin.

“Nuk kam pritur provokim nga zoti Rama dhe nuk kam pritur se do të flasë për Kosovën e Metohinë. Unë nuk e di se çfarë lidhjesh ka ai me Kosovën e Metohinë. Kosova e Metohia është pjesë e Serbisë, sipas Kushtetutës së Serbisë, dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me Shqipërinë dhe as nuk do ta ketë”, u përgjigj Vuçiqi.

Vizita e Ramës në Beograd ishte e para e një kryeministri shqiptar pas 68 vjetësh dhe u vlerësua si historike.

Stefan Surliq, nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd, vlerësoi se Vuçiq dhe Rama kanë bërë një hap të madh përpara me këtë takim, pavarësisht mosmarrëveshjes për Kosovën.

“Ata, që atëherë, e njohën interesin kryesor, që është lidhja rajonale në mungesë të një perspektive të qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Surliqi.

Serbia mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE në vitin 2012, ndërkaq negociatat për anëtarësim nisën në vitin 2014. Shqipëria aplikoi për anëtarësim 13 vjet më parë, por ende nuk ka marrë datën për fillimin e negociatave.

“Përplasjet”, edhe në Twitter

Retorika e ngjashme mes Vuçiqit dhe Ramës nga takimi i parë, mund të ndiqet edhe në vitet e ardhshme në rrjetin social Twitter.

“Një Serbi normale mund të jetë e mundur vetëm nëse Serbia e vërtetë e kupton se ‘Shqipëria e Madhe’ është makthi i saj, dhe jo projekti ynë”, shkroi Rama në Twitter, në tetor të vitit 2014.

Shkak ka qenë një dron me mbishkrimin “Shqipëria e Madhe”, i cili është shfaqur sipër fushës në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri, që është zhvilluar në Beograd, dhe reagimet që e pasuan atë.

Vuçiq u përgjigj menjëherë, duke thënë se kanë tërësisht të drejtë ata që thonë se Shqipëria e Madhe është makthi i Serbisë.

“Por, ky nuk është vetëm makthi ynë, por makthi i Evropës, makthi i gjithë njerëzimit dhe ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë, për ta parandaluar atë”, shkroi Vuçiq në Twitter.

Dhe, kur Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës mori vendim në favor të Shqipërisë, për shkak të pezullimit të ndeshjes për kualifikimet për EURO 2016, Rama u paraqit në Twitter me mesazhin: “Shkëlqyeshëm. Kjo është drejtësia evropiane”.

Sipas Vuçiqit, drejtësia evropiane e Ramës ishte një “turp” për ligjin evropian.

“I nderuari Edi Rama, mos u shqetëso, ne do t’ju mundim në fushë në mes të Tiranës pa dron dhe pa ndihmën e askujt. Shihemi së shpejti”, shkroi Vuçiq në Twitter.

Herën tjetër, Vuçiq i dërgoi një mesazh Ramës nëpërmjet Twitter-it, për shkak të Kosovës.

“I premtoj kryeministrit Rama se Kosova dhe Shqipëria, siç thotë ai, nuk do të bashkohen kurrë në mënyrën klasike”, shkroi Vuçiq, më 7 prill 2015.

Më herët, Rama, duke folur për televizionin Klan Kosova në Prishtinë, tha se Ballkani duhet të jetë pjesë e BE-së, se bashkimi i shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës do të bëhet në funksion të BE-së ose si reagim ndaj verbërisë evropiane. Përkthimi i cilësuar si i pasaktë i një pjese të intervistës për të ardhmen e Shqipërisë dhe Kosovës, shkaktoi reagime të vrullshme në Serbi.

Vuçiqi, më pas, ishte “pa koment” ndaj pyetjes së gazetarëve për vizitën e Ramës në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës – parti që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, njëri prej liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Por, imagjinojeni sikur unë të shkoja diku në rajon, që të vizitoj përfaqësuesit e partive më ekstreme serbe, se si do të reagonin në Evropë dhe botë”, ka thënë Vuçiq në shkurt të vitit 2017.

Në atë kohë, Haradinaj, deputet i Kuvendit të Kosovës, ishte në pritje të një vendimi të gjykatës në Francë, lidhur me kërkesën e Serbisë për ekstradim, për shkak të akuzave për krime lufte gjatë viteve 1998/’99. Gjykata franceze, më vonë, e hodhi poshtë kërkesën e Beogradit.

Ndryshimi i narracionit, kryesore

Në maj të vitit 2015, gjatë vizitës së tij në Tiranë, Aleksandar Vuçiq, si kryeministër i Serbisë, u shpreh i bindur se marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë janë shumë të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor.

Kjo ishte vizita e parë zyrtare e një lideri serb në Shqipëri, gjatë së cilës, Rama dhe Vuçiq theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Edhe pse kemi kontestin e madh sa mali për çështjen e Kosovës, kjo mosmarrëveshje nuk e zbeh rëndësinë e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës”, tha Rama, duke iu referuar dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU