S’ka të infektuar në Kosovë, Gexha: Rrezik që lia e majmunëve të shfaqet, rastet e para janë konfirmuar në rajon

S’ka të infektuar në Kosovë, Gexha: Rrezik që lia e majmunëve të shfaqet, rastet e para janë konfirmuar në rajon

Aktuale May 25, 2022 - 14:44

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha, në një konferencë për media bëri të ditur se deri tani nuk është shënuar asnjë rast i lisë së majmunëve në Kosovë.

Gexha në një konferencë për media së bashku me drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik tha se deri tani në bazë të të dhënave epidemiologjike rreziku për popullatën është i ultë, megjithatë tha MSH-ja me strukturat e veta po e monitoron situatën.

“Duke qenë se rastet e para janë konfirmuar në rajon, rreziku që të shfaqet edhe në Kosovë është real. Andaj për çdo ndryshim në lëkurë e simptoma tjera si ethe, dhimbje muskujsh e lodhje luteni t’i drejtoheni mjekut familjar”, tha ajo.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë tha se lajm i mirë është që lia e majmunëve nga të dhënat e deritanishme nuk përhapet shpejt si COVID-19, megjithatë theksoi se duhet të jemi vigjilentë.

Ajo bëri të ditur se në IKSHPK kanë filluar përgatitjet për porositjen e testeve diagnostikuese për këtë sëmundje.

Ndryshe, zëvendësministrja e Shëndetësisë më tej u bëri thirrje qytetarëve që të marrin vaksinën anti-COVID. /telegrafi