Lia e majmunëve, MSH-ja dhe IKSHPK-ja sot konferencë për media

Lia e majmunëve, MSH-ja dhe IKSHPK-ja sot konferencë për media

Aktuale May 25, 2022 - 08:59

Ministria e Shëndetësisë, në koordinim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ditë më parë ka thënë se po përcjellin me vëmendje epidemiologjinë e lisë së majmunëve, që nga paraqitja e rasteve të para jashtë kontinentit të Afrikës, në SHBA, Evropë dhe Izrael, me mbi 100 raste të raportuara deri më tani.

Sot Ministria e Shëndetësisë, përmes një njoftimi për media, bëri të ditur se përfaqësues të MSH-së dhe të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike do të mbajnë konferencë për media, në të cilën do të flitet për sëmundjen e lisë së majmunëve.

Konferenca do të mbahet në orën 14:00.

Ndryshe, në një intervistë për telegrafin, infektologu Hamdi Ramadani bëri të ditur se përhapja e kësaj sëmundjeje bëhet përmes pështymës dhe gjakut të njeriut të infektuar.

Kurse në momentin që një njeriu ka kontakt me kafshë të egra, brejtësit dhe majmunët, automatikisht është i rrezikuar.

“Shkaktari i sëmundjes është një virus, prandaj quhet sëmundje virusale që kryesisht kap kafshët e egra, brejtësit e majmunët. Normalisht në kontakt me këto kafshë njeriu që eksponohet para tyre e fiton edhe sëmundjen. Kurse përhapja e sëmundjes që është e rëndësishme për ta ditur bëhet me anën e infeksiozitetit apo pështymës së infektuar, por edhe përmes gjakut të personit të infektuar mund të përhapet”, tha ai.

Temperaturë e lartë, ethe, dhimbje të muskujve, nyjave, kokës dhe lodhje permanente janë disa prej simptomave me të cilat manifestohet kjo sëmundje, njofton Ramadani.

Kurse simptomë tjetër me të cilën karakterizohet lia e majmunëve është edhe skuqja e fytyrës dhe e duarve të ekspozuara.

“Bazuar në të dhënat e paraqitura nga autoritetet shëndetësore të vendeve, nga ku është shfaq por edhe ato të mëparshme. Simptomat e kësaj sëmundje janë: temperatura e cila është e lartë deri 39 gradë po ashtu fillojnë ethet, pastaj dridhjet, dhimbje të muskujve, të nyjave, të kokës dhe përveç këtyre lodhja është një simptomë permanent i sëmundjes, më vonë shfaqen edh ajtje të nyjave limfatike përkatëse, po ashtu sëmundja karakterizohet edhe me skuqje të fytyrës dhe të duarve ”, deklaroi Ramadani.

Kryetari i Infektologëve të Kosovës vlerësoi e ata të cilët veç preken nga kjo sëmundje duhet të izolohen dhe të hospitalizohen për dhjetë ditë.

“Ecuria e sëmundjes shkon nga shtatë deri në dhjetë ditë e në rrallë deri në 14 ditë. Tash për tash sëmundja kalon pa ndonjë komplikim. Të sëmurët me ‘Linë e Majmunëve’, rekomandohet të ndalen të izolohen dhe të hospitalizohen për shtatë ose dhjetë ditë shkak të kufizimit dhe përhapjes”, tha ai.

Se kjo sëmundje nuk kursen as moshë as gjini, e konfirmon edhe infektologu Ramadani.

Ai pohoi se në momentin që një njeri ka kontakt me personin e infektuar ose me kafshë është i rrezikuar.

“Kjo sëmundje nuk kursen ndonjë moshë. Është ajo që quhet ekspozim, njeriu kur i ekspozohet një infeksioziteti në afërsi të ngushtë, me personin e infektuar apo me kafshën e infektuar mundësia që të paraqitet sëmundja është e madhe. Pra kjo nuk dallon ndonjë moshë ose gjini të caktuar”, përfundoi ai. /telegrafi