Zëvendëspresidentja e MCC-së nis vizitën e saj në Kosovë

Zëvendëspresidentja e MCC-së nis vizitën e saj në Kosovë

Aktuale May 22, 2022 - 20:13

Një delegacion nga Uashingtoni, në krye me Zëvendëspresidenten e Departamentit të Politikave dhe Evaluimit në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alicia Phillips Mandaville, ka mbërritur sot në Prishtinë, për një vizitë zyrtare tre-ditore në Kosovë. Znj. Mandaville e filloi vizitën e saj me fokus në modernizimin e sistemit lokal të ngrohjes, investim ky që po bëhet i mundur përmes aktivitetit Prishtina HeatSave të MFK-së dhe MCC-së.

Delegacionit së MCC-së nga Uashingtoni, iu bashkua edhe Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, Kryeshefi Ekzekutiv i ngrohtores së qytetit ‘’Termokos’’, Arsim Fetahu, dhe Drejtori Ekzekutiv i MFK-së, Petrit Selimi, për të vizituar një familje në lagjen Bregu i Diellit, apartmenti i së cilës do të përftojë nga ky investim. Kjo vizitë u bë me qëllim të njoftimit për së afërmi me sistemin aktual të ngrohjes, si dhe përurimin e fillimit të fazës së instalimit të matësve të ri tek 17,500 banorë, që do t’iu mundësojnë atyre kontroll të plotë mbi shpenzimet e ngrohjes.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i informoi të pranishmit për përfitimet e shumta që ky projekt i mundësuar nga bashkëfinancimi mes MFK, MCC dhe Komunës së Prishtinës, do të sjellë. “Ju e dini, shumë njerëz gjatë dimrit thonë se po i hapin dritaret për shkak se banesat po u ngrohen së tepërmi nga rrjeti qendror. Tash nuk kanë nevojë me i hapë ma dritaret, por do t’i mbyllin radiatorët, duke e kursy edhe energjinë termike edhe xhepin e vet.” shtoi Kryetari Rama.

Zëvendëspresidentja e MCC-së, Phillips Mandaville, shfrytëzoi këtë rast për t’a theksuar rëndësinë e këtij investimi dhe rolin e tij në jetën e qytetarëve të Prishtinës. “Prishtina HeatSave po ndryshon mënyrën se si qytetarët e Prishtinës menaxhojnë shfrytëzimin e energjisë: faturimi i bazuar në konsum iu mundëson konsumatorëve të kenë më shumë kontroll mbi shfrytëzimin e energjisë nga ana e tyre. Kjo gjë nënkupton që familjet mund të marrin vendime të informuara se sa energji duhet të shfrytëzojnë dhe të kenë kontroll më të mirë mbi faturën e tyre të ngrohjes’’ deklaroi Zëvendëspresidentja Philips Mandaville.

Në një deklaratë për media, Kryeshefi Ekzekutiv i Termokos, Arsim Fetahu, u shpreh: “Ky është një projekt shumë dimensional dhe tejet i dobishëm si për qytetarët, ashtu edhe për ne. Ata do të kenë mundësi të kursejnë, ndërsa ne të zgjerohemi më tej në lagje të tjera të Prishtinës.”

Drejtori Ekzekutiv i MFK-së, Petrit Selimi, u shpreh i lumtur për vizitën e zv. presidentes Mandaville në Kosovë dhe mbështetjen e saj përgjatë këtij procesi. Me këtë rast ai vuri në pah synimin e kësaj ndërhyrjeje duke thënë që “qëllimi kryesor është që të sigurojmë që Termokosi të bëhet një kompani moderne me sistem modern të matjes dhe faturimit, por edhe të mbështesë mijëra klientë në mënyrë që ata të kontrollojnë konsumin dhe shpenzimet e tyre.”

Më pas, Zv. Presidentja vazhdoi ditën e saj duke vizituar shtandin e Prishtina HeatSave, ku qytetarët e Prishtinës u informonin lidhur me intervenimin si dhe procesin e detajuar të instalimit të matësve të mencur dhe funksionet e tyre. Ky aktivitet ishte pjesë e shumë aktiviteteve organizuar nga Komuna e Prishtinës për fundjavë, e rastin e Festivalit të Pranverës, ku delegacioni i MCC-së pasi rastin të shijojë një moment nga shfaqjet, muzika, vallëzimi dhe ngjarjet tjera kulturore.

Zëvendëspresidentja Mandaville do të qëndrojë në Kosovë nga 22 maj deri 24 maj, dhe përgjatë kësaj periudhe ajo pritet të marrë pjesë në një sërë ngjarjesh të organizuara nga MFK dhe MCC, përfshirë Konferenca e Donatorëve Subvencionet për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë dhe Ngjarja Përmbyllëse e Programit ‘Gratë në Energji’. /Zëri