Një vit burgim me kusht dhe afër dy mijë euro gjobë ndaj Murat Mehës dhe bashkëshortes së tij, për mosdeklarim të saktë të pasurisë

Një vit burgim me kusht dhe afër dy mijë euro gjobë ndaj Murat Mehës dhe bashkëshortes së tij, për mosdeklarim të saktë të pasurisë

Aktuale May 18, 2022 - 10:07

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me nga një vit burgim me kusht dhe një mijë e 800 euro gjobë Miradije Mehën, drejtoreshë e Departamentit të Administratës dhe Përkrahjes (DAP) në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) dhe ish-kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), Murat Meha, për deklarim të pasaktë të pasurisë.

Aktgjykimi ndaj të njëjtëve u shpall të mërkurën nga gjyqtari Adnan Kamberi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit (secili veç e veç) u dënuan me nga 6 muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse të njëjtit nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej 1 viti.

E akuzuara Miradije Meha u dënua me 1 mijë euro gjobë, ndërsa i akuzuari Murat Meha u dënua me 800 euro gjobë.

Kundër këtij aktgjykimi, lejohet e drejta e ankesës në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të të njëjtit me shkrim.

Sipas aktakuzës së ngritur në maj të 2018-së nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Miradije dhe Murat Meha akuzoheshin për mosraportim të saktë të pasurisë.

Prokuroria pretendon se nga 1 deri më 31 mars 2013 dhe 2014, e pandehura Miradije Meha në cilësinë e zyrtares së lartë publike, drejtoreshë e Departamentit të Administratës dhe Përkrahjes (DAP) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), edhe pse ka qenë e detyruar ta bëjë deklarimin e pasurisë, e njëjta nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara në formular lidhur me palujatshmërinë në sipërfaqe prej 450 m2 në Zonën Kadastrale Llapllasellë, e cila është në emër të saj si dhe banesën e blerë në Tiranë në vitin 2012 në sipërfaqe prej 90.3 m2, në emër të bashkëshortit të saj Murat Meha.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Murat Meha thuhet se nga 1 deri më 31 mars 2013 dhe 2014, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), edhe pse ka qenë i detyruar ta bëjë deklarimin e pasurisë, i njëjti nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë dhe atë palujatshmërinë në sipërfaqe prej 450 m2 Zonën Kadastrale Llapllasellë, e regjistruar në emrin e bashkëshortes së tij Miradije Meha.

Me këtë, secili veç e veç akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave ose i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare” nga neni 437, paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.