AKK-ja tregon sa zyrtarë s’e deklaruan pasurinë këtë vit dhe çka do të ndodhë me ta
Foto: Laura Hasani

AKK-ja tregon sa zyrtarë s’e deklaruan pasurinë këtë vit dhe çka do të ndodhë me ta

Aktuale May 18, 2022 - 09:12
Image

Mbi 4700 zyrtarë të lartë publikë e kanë për obligim sipas ligjit të deklarojnë çdo vit pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Afati për deklarim këtë vit ka përfunduar më 31 mars, ndërsa ka pasur zyrtarë që e kanë deklaruar pasurinë e tyre jashtë afatit, ndërsa ka pasur edhe të tillë që nuk e kanë deklaruar fare, shkruan Zeri.info.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë të ditur për “Zërin” se nga 4748 zyrtarë që kanë pasur për obligim ta deklarojnë pasurinë, 4684 zyrtarë të lartë publikë kanë bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit të rregullt ligjor, ndërsa 64 jo.

50 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë pas afatit të rregullt ligjor, ndërsa 14 prej tyre nuk e kanë deklaruar pasurinë fare deri më tani.

Mosdeklarimi i pasurisë nga zyrtarët shtetërorë në Kosovë, sipas Kodit Penal, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, ndërsa AKK-ja ka thënë se do të veprojë sipas ligjit për ata zyrtarë që shkelin këtë ligj.

“Sa u përket zyrtareve të lartë publikë, të cilët nuk e deklarojnë pasurinë në afatin e paraparë ligjor dhe të cilët nuk kanë arsyetime të bazuara për mos-deklarim, AKK do të veprojë sipas ligjit, respektivisht kodit penal ku mosdeklarimi paraqet vepër penale dhe e detyron AKK-në të veprojë në pajtim me nenin 430 të Kodit Penal të Kosovës”, ka thënë Agjencia për “Zërin”.

Po ashtu, sipas AKK-së, publikimi i pasurisë pritet të nisë nga fundi i muajit qershor të këtij viti.

“Agjencia Kundër Korrupsion është në proces të përpunimit të të dhënave nga formularët e deklarimit të pasurisë dhe rrjedhimisht të dhënat përfundimtare mund të jenë të gatshme deri në fund të muajit qershor 2022”, ka thënë AKK-ja. /Zëri