Kurti tregon për takimet që zhvilloi në Michigan

Kurti tregon për takimet që zhvilloi në Michigan

Aktuale May 18, 2022 - 00:02

Në kuadër të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dy ditët e fundit ka qëndruar në Michigan, ku ka zhvilluar takime me senatorë e kongresistë amerikanë, përfaqësues të biznesit dhe me mërgatën shqiptare atje.

Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka treguar për të gjitha takimet që zhvilloi dy ditët e fundit në këtë shtet të SHBA-së, raporton Zeri.info.

“Gjatë vizitës dy ditore në Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pata nderin të takoj senatorin z. Gary Peters dhe kongresistin z. Andy Levin. Dy përfaqësuesve të popullit amerikan ua shpreha mirënjohjen time dhe të shtetit e popullit tonë për ndihmën dhe përkrahjen nga Kongresi amerikan për çeshtjen e Kosovës dhe për kontributin e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë dhe shtetndërtimin e Republikës sonë”, ka shkruar Kurti.

Kurti thotë se senatorin dhe kongresistin amerikan i ka njoftuar për progresin e shënuar përgjatë qeverisjes njëvjeçare dhe punën e institucioneve në avancimin e drejtësisë dhe punësimit.

“Në takimin ku ishte i pranishëm edhe kryetari i qytetit Rochester Hills, Bryan Barnett, biseduam edhe për kërcënimin që aleanca ushtarake Serbi-Rusi paraqet për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Duke diskutuar për invazionin dhe agresionin rus në Ukrainë folëm edhe për rrezikun që mund të paraqitet për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.

Në Detroit thotë se ka vizituar një ndërmarrje të teknologjisë së informacionit “që është shembull i investimit të kompanive amerikane në Kosovë. Krahas suksesit dhe përfitimit, kompania KODE labs (KOsova & DEtroit) mbështet edhe progresin e vendit tonë në sektorin e teknologjisë së informacionit”.

“Me drejtuesit e kompanisë që ka zyrë edhe në Prishtinë, biseduam për mënyrat se si Qeveria mund të bashkëpunojë me kompanitë e teknologjisë së informacionit dhe se si mund të trajnojë profesionistë të kësaj fushe, në shërbim të zhvillimit të këtij sektori dhe krijimit të vendeve të punës që janë edhe cilësore, edhe të qëndrueshme afatgjatë”, ka shkruar Kurti.

Një takim tjetër të dobishëm Kurti thotë se kushte me shoqatën e bizneseve “Automation Alley”, që është lidere në mesin e shoqatave të bizneseve për teknologji dhe prodhim.

“’Automation Alley’ bën lidhjen ndërmjet industrisë, akademisë dhe qeverisë për të përshpejtuar inovacionin dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik të Michigan-it juglindor. Në bisedën me drejtorin e Partneriteteve Strategjike Globale, Noel Nevshehir, diskutuan për Industrinë 4.0, apo siç njihet ndryshe, revolucionin e katërt industrial. Industria 4.0 fokusohet në ndërlidhjen, automatizimin, mësimin makinerik dhe shkëmbimin e të dhënave në kohë reale në industrinë e prodhimit”, thotë Kurti.

Kryeministri thotë se atyre ua ka prezantuar mundësitë për investime në Kosovë dhe për potencialin në rritje të vendit tonë në sektorin e teknologjisë së Informacionit. “Po ashtu i ftova për vizitë në Kosovë për të hulumtuar nga afër mundësitë që i ofron tregu i Kosovës”.

Kryeministri thotë se me ftesë të Organizatës së Studentëve Shqiptarë, ka pasur një diskutim të hapur me studentë të Universitetit të Michiganit, të cilët i ka njoftuar për punën e deritanishme të Qeverisë, si dhe për planet për pjesën tjetër të mandatit. “Si prioritet të Qeverisë, ritheksova hapjen e vendeve të reja të punës dhe rëndësinë që investimet e huaja kanë në këtë drejtim, e sidomos të investimeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Me studentët biseduam edhe për rëndësinë e transferimit të dijes, angazhimin potencial të tyre në kuadër të institucioneve tona dhe për intensifikimin e bashkëpunimit të institucioneve me komunitetin shqiptaro-amerikan”.

Kurti thotë se “mërgata jonë ka shumë profesionistë të zotë të fushave të ndryshme, të cilët na bëjnë krenarë me arritjet e tyre në Evropë, ShBA e kudo tjetër. Në Michigan jeton një nga diasporat më të mëdha shqiptare në botë, që numëron rreth 50 mijë shqiptarë. Me një grup profesionistësh shqiptarë që jetojnë e punojnë në Michigan u takuam dhe biseduam për mundësitë dhe potencialin për zhvillim të partneritetit dhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe transferim të dijes dhe përvojës nga mërgata në Kosovë, gjë që synohet të arrihet nëpërmjet dialogut me mërgatën”.

“Gjatë vizitës në Michigan, organizuam tubime të mëdha me komunitetin shqiptar te Kisha Katolike Shqiptare Shën Pali dhe Qendra Islamike Shqiptare. E kam falënderuar komunitetin për kontributin e madh që kanë dhënë për Kosovën dhe kombin shqiptar, edhe në luftë, edhe në paqe, përpara shpalljes së pavarësisë dhe pas shpalljes së saj”, ka shkruar Kurti.

Kujtojmë se Kryeministri Kurti tash e disa ditë ndodhet për vizitë në SHBA. /Zëri