Drecun: Kosova ka siguruar dy të tretat për anëtarësim në KE

Drecun: Kosova ka siguruar dy të tretat për anëtarësim në KE

Aktuale May 17, 2022 - 11:18

Deputeti i parlamentit serb dhe “analisti” besnik i Vuçiqit, Millovan Drecun, beson se Kosova ka marrë mbështetjen e dy të tretave të anëtarëve që i nevojiten për anëtarësim në Këshill të Evropës.

“Kur komentohet synimin e Kosovës të jetë pjesë e Këshillit të Evropës, sipas fjalëve të tij, duhet pasur parasysh ambientin më të gjerë të këtij aplikacioni. Ai shton se anëtarësimi në Këshill të Evropës nuk është synimi përfundimtar i tyre, sepse Kosova mund të arrijë kapacitet të plotë ndërkombëtar vetëm përmes anëtarësimit në OKB e që ne do të parandalojmë”.

“Është një tërmet i fortë tektonik gjeopolitik dhe një konflikt jashtëzakonisht i ashpër midis Perëndimit dhe Rusisë, dhe ky është konteksti kryesor i gjithçkaje. Presioni është i madh mbi Serbinë, kryesisht për shkak të mos vendosjes së sanksioneve ndaj rusëve. Kjo po transmetohet edhe në dialog dhe çështjen me Kosovën. Qëllimi është që Serbia të detyrohet  ta kthejë dialogun në drejtim të njohjes reciproke dhe kështu të hapet rruga për anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara. Në thelb, anëtarësimi në Këshill të Evropës nuk do të thotë shumë për ta. Kosova mund të arrijë kapacitetin e plotë ndërkombëtar vetëm përmes anëtarësimi në OKB, ka pretenduar Drecuni, transmeton Paparaci.

Ai mendon se çështja aktuale është më shumë një mesazh për Serbinë në kuptimin që ajo duhet të respektojë politikën e Evropës për çështjen e luftës në Ukrainë.

“Perëndimi shkon vetëm në variantin e sigurt. Besoj se kanë marrë mbështetjen e dy të tretave të anëtarëve të Këshillit të Evropës dhe se pas kësaj i kanë thënë Kosovës të aplikojë”, ka thënë ai.

Drecuni pretendon se “Prishtina ka mbështetjen e disa vendeve që i japin 'erë në krahë' për të arritur qëllimet e saj”.

“Vendimi ynë është që të bëjmë të qartë se do të luftojmë kundër gjithë kësaj me të gjitha mjetet. Kapaciteti ynë është që të pengojmë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, ndërsa sa i përket Këshillit të Evropës, aty nuk mund të bëjmë aq shumë sepse ka përçarje edhe në komunitetin ndërkombëtar – Evropë ose Rusi, ka thënë Drecuni.