Arbitrazhet ndërkombëtare: Kërkohet që institucionet e Kosovës të mos i neglizhojnë kontratat e nënshkruara

Arbitrazhet ndërkombëtare: Kërkohet që institucionet e Kosovës të mos i neglizhojnë kontratat e nënshkruara

Aktuale May 17, 2022 - 08:37

Njohës të çështjeve ekonomike dhe juridike në vend kanë apeluar që institucionet e Kosovës të jenë të kujdesshme me rastin e nënshkrimit të kontratave dhe të mos i neglizhojnë ato, në mënyrë që të mos humbasim miliona euro pastaj në Gjykatën e Arbitrazhit.

Lidhur më këtë kryetari i Këshillit të Investitorëve Evropianë (KIE), Emrush Ujkani, ka thënë se Kosova ka kuadro të përgatitur për të na përfaqësuar në arbitrazhe ekonomike.

“Kosova ka ekspertë të mirë, në fushën e ekonomisë, do të thotë në fushën e asaj që është e drejtë ekonomike dhe përfaqësim në arbitrazhe. Ne kemi një komunitete të juristëve dhe e njoh një kategori të kuadro që kanë kapacitete dhe mundësi për të përfaqësuar dhe mbrojtur, pra secilën palë që orientohen për ta mbrojtur”.

“Në këtë drejtim, nuk dyshoj në atë. Ne kemi evidencë që aty ku kanë qenë të ftuar ose janë thirrur për ta dhënë atë ekspertizën e vetë këta njerëz, pra ky grup i kuadrove ka dhënë më të mirën dhe kanë përformuar në mënyrë jashtëzakonisht të mirë”.

“Kështu që, janë kuadro që janë të edukuar dhe të zhvilluara në aspektin profesional në shumicën e vendeve perëndimore, kështu që mendoj se nuk është sfidë”.

Kurse, avokati Taulant Hodaj ka thënë për Ekonominë Online se Kosova s’ka kapacitete për përfaqësim në arbitrazh e që sipas tij mund të angazhojë zyre të avokatëve që janë të specializuara për arbitrazhe komerciale

“Secili jemi të informuar se ka padi të shumta në arbitrazh. Arbitrazhi ndërkombëtar normal janë institucionet e specializuara që merren zakonisht me konteste komerciale dhe rrjedhimisht edhe këto donë përfaqim adekuat të specializuar. Mendojë që Kosova nuk ka kapacitete, por mund të angazhojë zyre të avokatëve që janë të specializuara për arbitrazhe komerciale në mënyrë që të mbrojnë interesat e Kosovës, por para se me ardhur te kjo do të ishte mirë që ato institucione që lidhin kontrata kur kanë klauzurën e arbitrazhit apo që ato kontrata apo marrëveshje që arbitrazhi aplikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë të jenë më të kujdesshëm dhe më profesional të përgjigjen me kohë dhe mos neglizhojnë sepse çdo neglizhuam është në disfavorizo të Kosovës dhe mund të humbin arbitrazhin”, tha Hoda.

Tutje, ai ka shtuar se rasti i humbjes në arbitrazh nga Post Telekomi ka ardhur në saje të neglizhimit nga ky institucion.

“Rasti i Post Telekomit ka qenë më shumë për shkak të neglizhencës së vetë institucionit të Post Telekomit që nuk ka ditur të menaxhojë kontratën dhe se si t’i qaset problemit dhe shkëputjen e ka bërë në mënyrë të kundërligjshme. Nëse kish pas këshilla të mira prej fillimit ndoshta në radhë të parë nuk do ta lidhte atë kontratë, por edhe nëse do e lidhte do të kishte zgjidhur në mënyrën se si duhet. Pastaj edhe mbrojtjen e ka pasur për t’u dëshiruar në arbitrazh dhe e ka humbur atë rast”.