ESI-ja kërkon që Këshilli i Evropës ta pranojë Kosovën në vendin e Rusisë

ESI-ja kërkon që Këshilli i Evropës ta pranojë Kosovën në vendin e Rusisë

Aktuale May 16, 2022 - 16:00

Nisma Evropiane për Stabilitet (ESI) iu ka bërë thirrje sot ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës që ta pranojnë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizëm, dhe ta dërgojnë në Asamblenë Parlamentare (PACE).

Në një  deklaratë të titulluar: “Sërish 47? Rusia jashtë, Kosova brenda”, drejtuesit e ESI, Gerald Knaus dhe Kristof Bender, kanë kërkuar që vendimi të merret në takimin e Torinos në Itali më 20 maj, njofton Klankosova.tv.

Aty kujtohet se për dërgimin e Kosovës në PACE mjaftojnë dy të tretat e votave, që i bie 31 nga 46 vende anëtare të KiE. Kjo derisa 34 prej tyre e kanë njohur Kosovën. Si e tillë përmendet edhe Italia që tani është kryesuese e Komitetit të Ministrave.

ESI vlerëson se Kosova, pavarësia e së cilës u konfirmua edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, është rrëfimi i kundërt i Rusisë që së fundi u përjashtua nga KiE.

“Ndryshe nga Rusia, Kosova ka shënuar bartje paqësore të pushtetit nëpër zgjedhje të lira dhe fer. Ndryshe nga Rusia, Kosova e pavarur nuk ka pasur asnjëherë të burgosur politikë. Ndryshe nga Rusia, Kosova asnjëherë nuk ka nxitur luftra” , thuhet në deklaratë.