Konjufca për masakrat në Qyshk, Zahaq e Pavlan: Janë dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë

Konjufca për masakrat në Qyshk, Zahaq e Pavlan: Janë dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë

Aktuale May 14, 2022 - 19:52

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka përkujtuar 23-vjetorin e masakrave në fshatrat Qyshk, Zahaq e Pavlan, ku agresorët serb masakruan 82 shqiptarë civilë.

Konjufca ka thënë se këto masakra janë dëshmi e gjenocidit të kryer nga Serbia mbi popullin shqiptar.

“Ditët e dhimbjes si kjo e shumë të tjera në kalendarin e historisë sonë, janë ditë të dëshmisë së gjenocidit të kryer nga Serbia mbi popullin tonë liridashës. Janë dëshmi se rruga e popullit tonë deri te liria ishte shumë e vështirë dhe e dhimbshme, dëshmi se liria nuk do të vinte pa sakrificën sublime të mijëra dëshmorëve dhe martirëve, që ranë lavdishëm në altarin e saj. Ndërsa Republika e Kosovës, për të cilën e dhanë jetën, sot është e lirë, e pavarur dhe sovrane”, ka shkruar ai. /Zëri

Postimi i plotë:

Sot bëhen 23 vite nga masakrat e kryera ndaj popullit tonë në fshatrat Qyshk, Zahaq dhe Pavlan të Pejës. Forcat e okupatorit serb masakruan 82 shqiptarë të paarmatosur.

Ditën e 14 majit 1999, forca të mëdha policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe sulmuan me armatim të rëndë fshatin Qyshk. Pasi depërtuan te popullata civile, ekzekutuan mizorisht 44 shqiptarë. Po atë ditë, në fshatrat Pavlan dhe Zahaq të Pejës, ata vranë edhe 38 shqiptarë nga radhët e popullatës civile.

Në masakrat barbare kundër shqiptarëve të paarmatosur të këtyre anëve kishte marrë pjesë edhe grupi i quajtur “Çakallët”, vrasës të liruar nga burgjet e Serbisë me qëllim të kryerjes së krimeve e të masakrave.

Ditët e dhimbjes si kjo e shumë të tjera në kalendarin e historisë sonë, janë ditë të dëshmisë së gjenocidit të kryer nga Serbia mbi popullin tonë liridashës. Janë dëshmi se rruga e popullit tonë deri te liria ishte shumë e vështirë dhe e dhimbshme, dëshmi se liria nuk do të vinte pa sakrificën sublime të mijëra dëshmorëve dhe martirëve, që ranë lavdishëm në altarin e saj. Ndërsa Republika e Kosovës, për të cilën e dhanë jetën, sot është e lirë, e pavarur dhe sovrane.

Qoftë i përjetshmëm kujtimi për të gjithë të rënët për atdhe.