Sarrazin pas vizitës: Kosova është zemra e Evropës dhe i përket Këshillit të Evropës

Sarrazin pas vizitës: Kosova është zemra e Evropës dhe i përket Këshillit të Evropës

Aktuale May 14, 2022 - 16:31

Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka përfunduar vizitën e tij zyrtare në Kosovë, e duket se Kosova i ka lënë përshtypje të mira.

Këtë qëndrim ai e bëri të ditur përmes një postimi në Twitter, ku ka shkruar se “Rrugës për në Hamburg me plot mbresa nga Kosova. Faleminderit për diskutimet intensive dhe të hapura. Mirupafshim për tani!”

Gjatë vizitës së tij në Kosovë ai u takua me ministren e jashtme, Donika Gërvalla, ku dolën në një konferencë të përbashkët dhe Sarrazin konfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën.

“Pozicioni i Gjermanisë është i qartë: Kosova është zemra e Europës dhe përket në Këshill të Europës. Dje, e sigurova ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, për mbështetjen tonë për anëtarësim”, ka shkruar ai në Twitter.

Përveç takimit me Gërvallën, emisari gjerman u takua edhe me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, si dhe liderë opozitarë dhe me përfaqësuesit e serbëve. /Zëri