Bislimi: Pala serbe shfrytëzoi takimin për t’i mashtruar ndërkombëtarët për gatishmërinë e tyre për bisedime

Bislimi: Pala serbe shfrytëzoi takimin për t’i mashtruar ndërkombëtarët për gatishmërinë e tyre për bisedime

Aktuale May 13, 2022 - 23:28

Sot është zhvilluar një takim në mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun Kosovë – Serbi, Besnik Bislimi ka folur lidhur me rrjedhën e këtij takimi që u zhvillua në Bruksel.

Bislimi ka thënë se ky takim ishte thirrur për zgjidhjen e problemit të targave, mirëpo sipas tij pala serbe e shfrytëzoi këtë takim për të mashtruar komunitetin ndërkombëtar për gatishmërinë e tyre për bisedime.

“Takimi i sotëm në Bruksel, ishte thirrur pas garantimit të palës serbe që përfundimisht do jenë konstruktiv dhe do vijnë me propozim konkret për një zgjidhje permanente për problemin e targave, e cila do të jetë në harmoni me praktikat më të mira evropiane. Në vend të kësaj, ata shfrytëzuan takimin vetëm për të mashtruar komunitetin ndërkombëtar për gjoja gatishmërinë e tyre për bashkëbisedim dhe për të derdhur një varg deklaratash të pamatura para gazetarëve. Fatkeqësisht, mundësia e fundit për të gjetur një zgjidhje të mirë për qytetarët në temën e targave u shpërdorua paturpësisht dhe me një çasje irrituese”, ka thënë Bislimi.

Kryenegociatori Bislimi më tej ka thënë se ekipi Kosovar kishte insistuar për takim trepalësh, por kjo është refuzuar nga Beogradi.

“Shumë i pakuptimtë ishte edhe deklarimi për mosgatishmëri të palës sonë për takim trilateral, meqë ishte ekipi ynë që insistoi në takim trepalësh, por Beogradi nuk u dha leje për këtë”, ka shtuar ai. /Zëri