PDK-ja kërkon anulimin e vendimit për emërimin e Filipoviqit si nënkryetar në Komunën e Kamenicës

PDK-ja kërkon anulimin e vendimit për emërimin e Filipoviqit si nënkryetar në Komunën e Kamenicës

Aktuale May 07, 2022 - 21:32

Partia Demokratike e Kosovës, ka reaguar nga kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj anulimin e emërimit të Dalibor Filipoviqit si nënkryetar i kësaj komune.

Ata kanë thënë se pushteti i LVV-së në Komunën e Kamenicës dhe kryetari Kadri Rahimaj, po shkojnë hapave të njëjtë me të liderit të tyre Albin Kurti sa i përket bashkëpunimit të ngushtë me serbët që kundërshtojnë dhe e luftojnë shtetësinë e Kosovës.

“Pa asnjë detyrim ligjor, kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, përmes delegatëve të pushtetit e kanë votuar për nënkryetar të Komunës, Dalibor Filipoviqin, i cili deri tani ka punuar si mirëmbajtës teknik në një shkollë fillore. Filipoviq njihet në Komunën e Kamenicës si mbështetës i Vetëvendosjes në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Filipoviqi po ashtu ka mbështetur në vazhdimësi në rrjete sociale zyrtarët e Listës Serbe që kanë shpërndarë gjuhë të urrejtjes ndaj qytetarëve shqiptarë të Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.

PDK-ja thotë se Dalibor Filipoviq në disa postime në Facebook e kishte mbështetur ish-ministrin Aleksander Jabllanoviq për fyerjet që i kishte bërë ndaj nënave gjakovare duke thënë se nuk ka qenë gabim nëse i ka quajtur “egërsira”.

Ata tutje thonë se për këtë veprim, kryetari Rahimaj duhet të kërkojë falje publike para qytetarëve të Kamenicës.

“Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj duhet të kërkoj falje publike para qytetarëve të Kamenicës për këtë veprim. Në të kundërtën, mos kërkimi i faljes nga ana e tij, dëshmon se ky emërim ka ardhur si rezultat i pazareve politike të Vetëvendosjes me grupet politike serbe në Kamenicë”, thuhet më tej. /Zëri