Kosova ndalon importin e shpezëve të gjalla nga Shqipëria pas shfaqjes së gripit H5N8

Kosova ndalon importin e shpezëve të gjalla nga Shqipëria pas shfaqjes së gripit H5N8

Aktuale March 21, 2022 - 12:22

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës ka marrë vendim që të ndalojë importimin e shpezëve të gjalla nga zonat e prekura me gripin H5N8 në Shqipëri.

AVUK-u ka thënë se ky vendim është marrë duke u bazuar në raportin e OIE-së (Organizata Ndërkombëtare për Epizooti) për lajmërimin e paraqitjes se sëmundjes Gripi i Shpezëve - Avian Influenza, tipi H5N8, në zonën e Durrësit - Shqipëri.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë sot, më datë 21.03.2022, nxjerr Vendim me nr. 03/205/22, për masat e ndalesës se importit të shpezëve të gjalla nga zona që është konfirmuar prezenca e sëmundjes. Vendimi është nxjerrë bazuar në Ligjin Nr. 2004/21 për Veterinarinë dhe udhëzimin administrativ Nr. 2005/24 për Luftimin e Sëmundjes Zoonotike të Shpezëve’”, thuhet në njoftim e AVUK-ut.

Më tej thuhet se AVUK-u është në kontakte të vazhdueshëm me autoritetin e veterinarisë se Shqipërisë, për shkëmbim informatash lidhur incidencën e mundësisë se përhapjes se sëmundjes.

“Si autoritet me i lartë i veterinarisë në Republikën e Kosovës, me të gjitha kapacitete jemi të angazhuar për ndërmarrjen e veprimeve parandaluese të përhapjes se sëmundjes në vendin tonë. Kontrolli veterinarë kufitar ngritët në nivel të mbikëqyrjes se detajuar të importeve të ngarkesave me shpezë”, thuhet në njoftim. /Zëri