Asociacioni në pakon e re për Kosovën

Asociacioni në pakon e re për Kosovën

Aktuale January 27, 2022 - 18:29

Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë një nga temat, të cilat priten të diskutohen gjatë vizitës së të dërguarit të Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe nga përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, javën e ardhshme, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike shqiptarë dhe serbë, Violeta Haxholli dhe Dushan Radakoviq.

Megjithatë, ata thonë se mbetet e panjohur ende për shoqërinë civile, por edhe për publikun në tërësi, se cilat janë modelet për formimin e Asociacionit, që i janë ofruar Qeverisë së Kosovës për shqyrtim, e të cilat i ka përmendur ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, gjatë një interviste në shërbyesin publik, Radio Televizionin e Kosovës.

“Ka modele, të cilat ne mendojmë se mund të funksionojnë dhe e kemi inkurajuar Qeverinë e Kosovë që t'i shqyrtojë ato modele dhe ta shqyrtojë atë çështje”, ka thënë Hovenier, pa dhënë detaje mbi këto modele.

Qeveria e Kosovës, deri më tash nuk ka dhënë ndonjë detaj lidhur me modelet për formimin e Asociacionit. Ndërkaq, autoritetet serbe kanë theksuar se modeli i vetëm për Asociacionin është sipas marrëveshjeve të arritura më 2013 dhe 2015 në dialogun e Brukselit.

Çka është Asociacioni i komunave me shumicë serbe? 

Asociacioni i komunave me shumicë serbe prej disa kohësh është pengesë për dialogun Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve. Për formimin e saj u arrit Marrëveshja në Bruksel, në vitin 2013, si pjesë e një dialogu të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Dy vjet më vonë, në Bruksel u arrit pajtimi lidhur me parimet për formimin e Asociacionit, të cilat Gjykata Kushtetuese e Kosovës në dhjetor të vitit 2015 i vlerësoi se nuk ishin plotësisht në harmoni me frymën e Kushtetutës. Në bazë të atij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, është kontestuese se Bashkësia nuk bazohet në multietnicitet, por mbledh komuna në të cilat një komunitet etnik është shumicë, në këtë rast komuniteti serb.

Pas vendimit të gjykatës, autoritetet kosovare refuzojnë zbatimin e marrëveshjes, me arsyetimin se Asociacioni është i dëmshëm, ndërsa pala serbe ka insistuar për zbatimin e marrëveshjes dhe vazhdimisht ka kërkuar që kjo çështje të ngrihet për diskutim sërish në dialog.

Vitin e kaluar, një dialog politik i nivelit të lartë, aktualisht i udhëhequr nga kryeministri i Kosovës , Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u mbajt vetëm dy herë. Përveç deklaratave kontradiktore, nuk ka pasur ndonjë përparim konkret.

Haxholli: Shoqëria civile pa informacion për modelet për Asociacionin

Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se deri më tash, përveç deklaratës së ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, ku ai ka përmendur se ekzistojnë modele për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shoqëria civile nuk ka asnjë informatë se për çfarë modelesh bëhet fjalë.

“Megjithatë, unë besoj që ajo çfarë është me rëndësi në deklaratën e ambasadorit amerikan, është se ai vazhdimisht e ka theksuar se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, se askush nuk është i interesuar që në Kosovë të krijohet një Republikë e re Serbe, që integriteti dhe sistemi unitar kushtetues i Kosovës është i garantuar. Kjo është shumë me rëndësi për Qeverinë e Kosovës përderisa të vendosë ta shqyrtojë çështjen e Asociacionit”, thotë Haxholli.

Radakoviq: Modelet për Asociacionin do t’i paraqesin Escobari dhe Lajçaku

Dushan Radakoviq, drejtor ekzekutiv i Qendrës për përfaqësim të kulturës demokratike nga Mitrovica e Veriut, thotë që, sipas burimeve të tij nga Kosova dhe Serbia, modelet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do t’u prezantohen autoriteteve në Kosovë dhe Serbi nga ana e të dërguarit të veçantë amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe nga përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Mirosllav Lajçak.

Më herët, Zyra e Departamentit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë konfirmoi se Escobari dhe Lajçaku do të jenë në Kosovë dhe Serbi nga 30 janari deri më 4 shkurt.

Siç është thënë, qëllimi i vizitës së tyre është të inkurajojnë liderët në Prishtinë dhe Beograd që të normalizojnë marrëdhëniet nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe t’i zbatojnë reformat në rrugën e integrimit në BE.

“Të dy ata (Escobar dhe Lajçak) do të paraqesin disa modalitete, të cilat do të jenë të pranueshme, si për institucionet amerikane, ashtu edhe për ato evropiane, pra, modeli i Asociacionit dhe më pas u mbetet të dyja palëve nëse do ta pranojnë ose jo”, thotë Radakoviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se nuk dëshiron “të spekulojë mbi propozimet për një model të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Qeveria e Kosovës hesht

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjen se cilat janë modelet, që i ka përmendur ambasadori amerikan Hovenier, të cilat i janë propozuar autoriteteve të Kosovës që t’i shqyrtojnë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, deri në publikimin e këtij teksti, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje.

Në Kosovë janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe, gjashtë në jug të Ibrit - Graçanica, Shtërpca, Novobërda, Ranillugu, Parteshi dhe Kllokoti, ndërsa katër komuna në veri, territoret e të cilave janë të lidhura - Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potok dhe Zveçani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në disa raste e ka ndërlidhur formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me Republikën Sërpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke shtuar se nuk do të lejonte formimin e tij me pushtet ekzekutiv sepse do të çonte në “mosfunksionim të shtetit”.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU:

https://www.evropaelire.org/a/asociacioni-pako-e-re-per-kosoven/31674573.html?fbclid=IwAR0ebSQHunPdwsTGl6pX4u0yFqGeQSyigt3PidUItf5nh_TAG2GQhISu2vw