Hovenier i mahnitur me përparimin e Kosovës, por kërkon ende punë
Foto: Laura Hasani

Hovenier i mahnitur me përparimin e Kosovës, por kërkon ende punë

Aktuale January 26, 2022 - 19:49

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se në Kosovë kanë ndodhur shumë zhvillime pozitive, por ka ende shumë për tu bërë.

“Muajin e ardhshëm, Kosova feston 14-vjetorin e pavarësisë dhe unë mendoj se ajo që populli i Kosovës ka arritur në këta 14 vjet është e jashtëzakonshme”, ka thënë Hovenier në një intervistë për televizionin publik.

Sipas tij, në këto vite kanë ndodhur gjëra të mrekullueshme.

“Shikoni se çka është e mundur tani, e shikoni sistemin e sundimit të ligjit, sistemin e zbatimit të ligjit apo forcat e sigurisë apo organizatat e shoqërisë civile dhe krejt çka kanë arritur. Mendoj se është mrekulli. Por, ende ka punë që kjo mrekulli të ecë përpara. Ka ende punë për ta parë këtë vend gjithnjë e më shumë duke e zënë vendin e saj të merituar si vend sovran dhe i pavarur që ofron shërbime për të gjithë qytetarët e saj”, ka deklaruar Hovenier.

Ambasadori ka folur edhe për sanksionet ndaj atyre që bëjnë krim transnacional.

“Nuk i sanksionojmë njerëzit për shkak të pikëpamjeve politike. Nuk i sanksionojmë njerëzit për shkak të veprimtarisë politike. I sanksionojmë njerëzit nëse kryejnë vepra, të cilat janë të specifikuara me rregullore ose ligj, që lejojnë vënien e sanksioneve, pra, nëse po destabilizon një sistem politik, nëse je i përfshirë në krim të organizuar transnacional. Siç e kemi thënë, kushdo që është i përfshirë në krim të organizuar transnacional do të duhej të shqetësohej që do të përballet me sanksione specifike. Gjithashtu duhet të shqetësohet kushdo që sfidon një rend kushtetues të një vendi që e kemi njohur dhe me të cilin punojmë. Por, njerëzit që i shprehin pikëpamjet politike nuk duhet të shqetësohen”, ka thënë ndër të tjera Hovenier.