Kosova i del në krah Ukrainës, deputetja ukrainase kërkon që edhe vendi i saj ta mbështesë Kosovën

Kosova i del në krah Ukrainës, deputetja ukrainase kërkon që edhe vendi i saj ta mbështesë Kosovën

Aktuale January 26, 2022 - 18:29

Deputetja ukrainase, Iryna Friz, ka falënderuar institucionet e Republikës së Kosovës për mbështetjen që i kanë dhënë vendit të saj në konfliktin me Rusinë.

Ajo ka shpërndarë deklaratat e presidentes Vjosa Osmani dhe të anëtares së Kryesisë së PDK-së, Vlora Çitaku, ku ato deklarojnë mbështetje për Ukrainën.

Friz ndërkaq ka thënë se Ukraina duhet ta mbështesë Kosovën, e cila tha se po lufton gjithashtu për pavarësinë e saj.

“Unë jam e bindur se Ukraina duhet të mbështesë miqtë e vërtetë që po luftojnë gjithashtu për pavarësinë e tyre. Është koha për të refuzuar standardet e dyfishta. Miqtë e Ukrainës nuk janë ata që dërgojnë militantë pro-rusë në tokën tonë, por ata që, gjithashtu të rrezikuar nga konflikti i armatosur, shprehin mbështetjen për shtetin tonë”, u shpreh deputetja ukrainase përmes një postimi në Facebook, raporton Zeri.info.

Ajo theksoi se “vendosja e marrëdhënieve miqësore me Prishtinën do të jetë një hap i ndershëm, i bllokuar më parë nga politika e Rusisë në Ballkan”.

Image

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka shprehur gatishmërinë që komponentët e caktuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës t’i vendosë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në rast se kjo i kërkohet për ndonjë mision.

Shefi i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, kolonel Sefer Isufi, thotë sot për Radion Evropa e Lirë se FSK-ja, gjithçka që ka arritur deri më tash – në secilin dimension të zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve të saj operative – e ka arritur falë “mbështetjes së pazëvendësueshme” të SHBA-së.

“Duke pasur parasysh që aleanca jonë me SHBA-në është e natyrshme dhe shumë e fuqishme, jemi plotësisht të gatshëm që të jemi përkrah SHBA-së dhe forcave të saj në secilin mision, ku ata vlerësojnë se mund t’i angazhojnë komponentët tonë profesionalë ushtarakë”, thotë Isufi.

“Ajo [SHBA-ja] e di më së miri se cilët komponentë të FSK-së mund t’i angazhojë në task-forcën e saj, apo t’i integrojë në kuadër të forcave të NATO-s, në operacionet eventuale në mbrojtje të vlerave euro-atlantike - gjë që është edhe vizion dhe aspiratë e Kosovës”, shton Isufi.

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetjen e Kosovës për Ukrainën përmes një shkrimi në Twitter, më 22 janar.

Ndërkaq, në një përgjigje me shkrim për REL-in, Zyra e Presidentes së Kosovës konfirmon se “Republika e Kosovës qëndron përkrah Ukrainës, duke e mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, pas agresionit të Rusisë të vitit 2014 dhe grumbullimit të forcave ushtarake ruse në afërsi të kufirit të saj me Rusinë”.

Në përgjigjen e Zyrës së Presidentes së Kosovës thuhet se lëvizjet e fundit ushtarake të Rusisë janë kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por edhe për gjithë kontinentin evropian dhe se çdo shkelje e sovranitetit të Ukrainës “paraqet sulm të drejtpërdrejtë ndaj një shteti të pavarur, sulm ndaj demokracisë në kontinentin tonë dhe vazhdimësi të fushatës agresive të Rusisë”.

“Ne nuk jemi të vetëm në mbështetje të Ukrainës, por përkrah aleatëve tanë, SHBA-së dhe NATO-s, si dhe me shtetet, të cilat dëshirojnë avancimin e vlerave demokratike në kontinentin tonë dhe në mbarë botën”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Presidentes së Kosovës. /Zëri