Hovenier: Përmes dialogut, Kosova do ta zë vendin e merituar si lider botëror

Hovenier: Përmes dialogut, Kosova do ta zë vendin e merituar si lider botëror

Aktuale January 26, 2022 - 16:26

Byroja e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike e Departamentit të Shtetit Amerikan ka njoftuar gjatë ditës së sotme se përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do t’i bashkohet Përfaqësuesit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak në Bruksel, Prishtinë dhe Beograd nga 30 janari deri më 4 shkurt për të inkurajuar liderët e Kosovës dhe Serbisë që të normalizojnë marrëdhëniet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të zbatojnë reformat në rrugën e integrimit në BE.

Ndaj këtij njoftimi ka reaguar Ambasadori Amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, duke thënë se ekipi i tij dhe ai vetë presin me padurim të mirëpresin Escobarin në Kosovë javën e ardhshme, raporton Zeri.info.

Hovenier tha se përmes dialogut, Kosova do të njihet dhe do ta zë vendin e merituar si lider botëror.

“Progresi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mbetet mënyra më e mirë për të siguruar që liderët e Kosovës mund të japin rezultate për qytetarët dhe se Kosova njihet dhe zë vendin e merituar si lider botëror”, ka theksuar ambasadori amerikan në Kosovë.

Të hënën, dyshja Escobar dhe Lajçak do të qëndrojnë në Kosovë, pas së cilës vizitë do të vazhdojnë në Beograd. E tërë vizita i kushtohet dialogut. /Zëri