ZRRE-ja tregon pse nuk u ndërpritet rryma qytetarëve në veri, edhe pse s’e paguajnë
Foto: Laura Hasani / ilustrim

ZRRE-ja tregon pse nuk u ndërpritet rryma qytetarëve në veri, edhe pse s’e paguajnë

Aktuale January 25, 2022 - 13:13

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, ka thënë se arsyeja përse nuk ndërpritet energjia elektrike për konsumatorët e katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit, të cilët nuk paguajnë për shërbimin që e marrin, është një letër nga KFOR-i.

Këtë informacion Fejzullahu e dha sot në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

I pyetur nga kryetari i Komisionit, Ferat Shala, se përse pjesa veriore e vendit nuk është përfshirë në raportin ku ZRRE-ja shqyrtoi dhe propozoi shtrenjtimin e rrymës, Fejzullahu tha se për energjinë e papaguar elektrike në veri ky institucion është paditur nga Avokati i Popullit dhe si pasojë e kësaj çështjeje gjyqësore, çmimin e rrymës së papaguar në katër komunat veriore e paguajnë Qeveria e KOSTT-i.

“Më 2009 kemi pasur edhe zyrtarisht letër nga komandanti i atëhershëm i KFOR-it, Yves de Kermabon, i cili ka kërkuar që këto katër komuna nuk guxojnë të shkyçen nga rrjeti energjetik, për çka kanë qenë të informuar atëherë edhe kryeministri i atëhershëm, edhe presidenti, edhe kryetari i Policisë, edhe të gjitha institucionet, për shkak se ajo zonë është zonë ku jetojnë komunitete të ndryshme, ku rritet pasiguria nëse ndërpritet rryma. Është obligim i institucioneve të Kosovës që të gjithë konsumatorëve t’u ofrojmë furnizim me energji elektrike. Është e pamundur të dërgohen fatura atje. Është ligjërisht e pamundur që në mënyrë kolektive që ata konsumatorë të shkyçen nga rrjeti elektrik”, deklaroi Fejzullahu. /Zëri