Të mërkurën, protestë kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike

Të mërkurën, protestë kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike

Aktuale January 25, 2022 - 08:47

Për shkak të gjendjes energjetike në vend dhe propozimit për shtrenjtim të rrymës, të mërkurën është paralajmëruar protestë qytetare.

Protesta pritet të fillojë në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ndërkaq do të kërkohet të mos aprovohet bllok-tarifa e propozuar nga ZRRE-ja dhe të nacionalizohet KEDS-i.

Më 28 janar 2022 Qeveria e Kosovës pritet ta miratojë propozimin e ZRRE-së për vendosjen e bllok-tarifës dhe rritjen prej 9% për të gjithë konsumatorët që shpenzojnë deri në 600 kWh, ndërsa rreth 200% rritje të çmimit për konsumatorët që e tejkalojnë 600 kW.

“Vendosja e bllok-tarifës do ta afektojë jetën dhe buxhetin e secilit prej nesh. Gjatë sezonit të dimrit konsumi energjetik i një familjeje mesatare në Kosovë e kalon në çdo formë 600 kWh. Kjo do të thotë që nëse ne e kemi paguar një faturë prej 58 eurove, me tarifën e re do të paguajmë rreth 108 euro”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, përveçqë i palogjikshëm, ky propozim do t’i pasurojë edhe më tej bizneset, në kurrizin tonë.

“Sipas propozimit, çmimi i energjisë për bizneset nuk rritet fare. Kjo i bie se një familje mesatare në Kosovë, që synim e ka jetesën ose edhe mbijetesën, paguan edhe për bizneset që synim e kanë qarkullimin e fitimin”, thuhet tutje.

Po ashtu theksohet se në këtë mënyrë po shantazhohen qytetarët.

“KEDS-it nuk i mjaftojnë 17 milionë euro fitim në vit, por i ka bërë argatë ZRRE-në dhe Qeverinë e Kosovës që nga ky vit kësaj kompanie private t’i shumëfishohet fitimi. E gjithë kjo nga buxheti, edhe ashtu i dërrmuar, i qytetarëve të Kosovës.

Këto shantazhe ne qytetarët e këtij vendi nuk do t’i lejojmë kurrsesi. Në këto kushte, protesta mbetet e vetmja rrugë që ta parandalojmë barrën që mundohen të na ngarkojnë Qeveria e Kosovës përmes ZRRE-së e me KEDS-in. Andaj, ju ftojmë që të mërkurën, duke filluar nga ora 12:00, të mblidhemi, ta kundërshtojmë e ta parandalojmë këtë padrejtësi të radhës ndaj nesh. Protesta nis te sheshi ‘Zahir Pajaziti’ dhe përfundon te ndërtesa e Qeverisë dhe ka dy kërkesa kryesore: Mosaprovimi i bllok-tarifës së propozuar nga ZRRE-ja; nacionalizimi i KEDS-it”, thuhet në fund.