Franca dhe Gjermania i kërkojnë Kosovës të frymëzohen nga pajtimi mes tyre

Franca dhe Gjermania i kërkojnë Kosovës të frymëzohen nga pajtimi mes tyre

Aktuale January 21, 2022 - 15:17

Ambasadorja e Francës në vendin tonë Marie-Christine Butel dhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, kanë shkruar një tekst të përbashkët autorial, duke kujtuar 59-vjetorin e traktatit Elysee midis Francës dhe Gjermanisë, që i dha fund armiqësisë mes tyre pas tri luftërave në 70 vjet, që shkaktuan miliona vdekje.

E në këtë aspekt dyshja ka kërkuar që ky traktat të jetë inspirim edhe për Kosovën dhe Serbinë që të arrijnë pajtimin dhe paqe mes vete.

Ata thonë se Kosova dhe Serbia janë Evropë dhe se Ballkani Perëndimor është në zemër të saj.

Sipas tyre, Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij, në ballë të të cilave janë Franca dhe Gjermania, ofrojnë mbështetje të fuqishme për Kosovën dhe Serbinë, “të cilat janë të destinuara të integrohen në Bashkimin tonë”.

“Kështu që sot ftojmë Kosovën dhe Serbinë që të marrin këtë frymëzim për t’u angazhuar plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përfaqësuesi i posaçëm, Miroslav Lajçak. Kjo është rruga më e mirë drejt paqes, prosperitetit dhe drejt BE-së. Pikërisht në këtë dialog duhet të bëhen propozime konstruktive, të cilat ruajnë të ardhmen dhe interesat reciproke të të dy vendeve, si dhe të qytetarëve të të dyja vendeve. Sepse, përmes këtij dialogu mund të ndërtohet besimi me respekt për njëri-tjetrin dhe për marrëveshjet e kaluara dhe të ardhshme”, kanë thënë ambasadorët evropianë në tekstin e tyre autorial, raporton Zeri.info.

Franca dhe Gjermania, thanë Buteli dhe Rohde, do të vazhdojnë të jenë aty për të mbështetur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe të gjitha reformat që i afrojnë të dyja vendet drejt integrimit evropian, në të mirë të demokracisë dhe të gjithë qytetarëve evropianë.

Ndër të tjera, dyshja ka thënë se janë të bindur se “do të ishte gabim të mendohet se status quo-ja aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e mirë për këdo”.

“Është një sklerozë dhe një pengesë për zhvillimin e të dy vendeve, një rrezik jostabiliteti për rajonin dhe për Evropën në tërësi”, theksuan ambasadorët. /Zëri