Shefi i Shtabit të Ushtrisë serbe: Nëse forcat e Kosovës intervenojnë në veri, do të reagojmë

Shefi i Shtabit të Ushtrisë serbe: Nëse forcat e Kosovës intervenojnë në veri, do të reagojmë

Aktuale January 20, 2022 - 13:16

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq, ka thënë se nuk përjashton veprime të reja "të njëanshme" të Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës.

Por, siç tha ai, ndaj veprimeve të tilla do të reagojë edhe ushtria serbe.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që forcat e sigurisë që ekzistojnë në Kosovë dhe Metohi të angazhohen në mënyrë të njëanshme dhe në mënyrë disproporcionale për të arritur disa pika politike në terren, por kërkesa jonë, insistimi dhe disa gjëra të tjera do të jenë në funksion të sigurimit jo vetëm të paqes por të situatës së sigurisë që garanton që populli ynë në Kosovë dhe Metohi të mund të jetojë dhe të ushtrojë të drejtat e veta si të gjithë qytetarët e këtij vendi”, tha gjenerali Mojsiloviq të mërkurën pas analizimit të situatës dhe aftësive të Forcave të Armatosura gjatë vitit të kaluar, raporton "Tanjug".

Ai përsëriti se sipas Rezolutës 1244 dhe Marrëveshjes Ushtarake Teknike të Kumanovës, njësitë e KFOR-it janë të vetmet forca ligjore në Kosovë.

“Ne këmbëngulim që marrëdhëniet e tyre me subjektet e tjera të sigurisë që nuk njihen në dokumentet tona si bartës të ndonjë funksioni të sigurisë, të jenë të paanshme dhe në frymën e marrëveshjeve të nënshkruara dhe të zbatohen jo vetëm për Policinë e Kosovës por edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës, me ndalimin e kalimit në veri të Kosovës, pa pëlqimin e veçantë të komandantit të KFOR-it”, ka thënë Mojsiloviq, transmeton Zeri.info.

Ai shtoi se në rastet kur ndodh që forcat e Kosovës me pëlqimin ose pa pëlqimin e KFOR-it të lëvizin në veri të Kosovës, Ushtria e Serbisë do të ndërmerr detyrat në përputhje me rrethanat.

“Ju keni qenë dëshmitarë të rritjes së angazhimit tonë përgjatë vijave administrative, veçanërisht në rrugët që të çojnë nga veriu në pjesën qendrore të Serbisë, si dhe dislokimin parandalues ëtë forcave për reagim të shpejtë të Forcave të Armatosura”, tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA të Serbisë.

Ai tha se është i kënaqur me qëndrimin e komandantit të ri të KFOR-it dhe se ky bashkëpunim aktualisht po zhvillohet në frymën e parashikimit të situatës dhe pa incidente serioze që do të rrezikonin zbatimin e Marrëveshjes Ushtarake Teknike dhe Rezolutës 1244. /Zëri