Rizvanolli: KEDS-i s’fiton nga 75 milionët e subvencionimit

Rizvanolli: KEDS-i s’fiton nga 75 milionët e subvencionimit

Aktuale January 20, 2022 - 11:18

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se nuk do të fitojë kompania e KEDS-it nga paratë e subvencionimit.

“Ne kemi ofruar 75 milionë euro subvencion, që i bie pak më shumë se gjysma e kërkesës së bërë nga ZRRE-ja. Asnjë cent i subvencionit nuk shkon në xhepat e KEDS-it dhe KESCO-s. Duke bërë subvencionin, KEDS-it dhe KESCO-s u ulet profiti, sepse nga subvencioni s’mund të kenë fitim”, tha ajo.

Rizvanolli tha se janë duke punuar që ta zgjidhin çështjen e mospagesës së rrymës në veri.

“Për pagesën në veri jemi duke u mundur që ta zgjidhim çështjen, përkundër një marrëveshjeje jo shumë të mirë që na keni lënë”, tha ajo.

Ajo tha po ashtu se Qeveria nuk propozon e as nuk miraton tarifat e Bordit të ZRRE-së.

“Qeveria as nuk propozon, as nuk miraton as tarifat, as raportet e as vendimet e Bordit të ZRRE-së, i cili është institucion i pavarur. Komentet do t’i adresojmë siç parashihet me ligj dhe ju ftojmë edhe juve për komentet që i keni. Përmes instrumenteve që i kemi, do t’u dalim në ndihmë qytetarëve, sidomos atyre që e racionalizojmë rrymën”, tha Rizvanolli.