Mbyllja e jetës së natës bëri që kosovarët të konsumojnë më shumë kanabis se ekstazi
Foto: Getty Images / ilustrim

Mbyllja e jetës së natës bëri që kosovarët të konsumojnë më shumë kanabis se ekstazi

Aktuale January 20, 2022 - 10:58

Përdorimi i kanabisit shënoi rritje, ndërsa konsumi i ekstazisë shënoi rënie mes muajve mars dhe prill të vitit 2021, kur masat kufizuese u imponuan si pasojë e pandemisë COVID-19, ka gjetur një anketë mbi konsumin e drogës në 30 vende, që u publikua të enjten.

Sondazhi më i fundit evropian në internet mbi përdorimin e drogës, i kryer nga Qendra Evropiane e Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Droga (EMCDDA), i kryer midis marsit dhe prillit 2021, në 30 vende (21 në Bashkimin Evropian, duke përfshirë Portugalinë dhe nëntë vende joanëtare), zbulon se “megjithëse përdorimi i kanabisit barishtor është rritur, përdorimi i mdma/ekstazisë është ulur” kur shumë popuj u nënshtroheshin kufizimeve, në një univers konsumatorësh 18 vjeç e lart.

“Rreth një e treta e të anketuarve (32%) raportuan se kishin konsumuar më shumë kanabis (barishtor) dhe 42% thanë se kishin përdorur më pak MDMA/ekstazi”, tha EMCDDA, transmeton Zeri.info.

Në pjesën e sondazhit që lidhet me Ballkanin Perëndimor, “rezultatet pasqyrojnë gjetjet e vendeve të BE-së”, duke dalë si risi në raundin 2021 pjesëmarrja e partnerëve të agjencive të studimit të Ballkanit Perëndimor, përmes një projekti të asistencës teknike të Observatorit Evropian.

Të dhënat e mbledhura tregojnë se më shumë se 2.000 të rritur (2.174) nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia iu përgjigjën anketës, ku shumica e të anketuarve (91%) raportuan se kishin konsumuar kanabis në 12 muajt e fundit, të ndjekur nga kokaina (38%), MDMA/ekstazi (22%) dhe amfetamina (20%).

“Edhe një herë, rreth një e treta e të anketuarve (32%) raportuan se kishin konsumuar më shumë kanabis (barishtor) dhe 34% kishin konsumuar më pak MDMA/ekstazi”, thotë EMCDDA.

Në këto vende pothuajse një në gjashtë (17%) të anketuar raportuan se kishin konsumuar substanca të reja psikoaktive vitin e fundit, ndërsa 9% thanë se kishin përdorur LSD. Përdorimi i heroinës dhe metamfetaminës është raportuar nga 8% e të anketuarve.

Rezultatet e sondazhit tregojnë për një “zhvendosje nga jeta e natës në jetën familjare”, me shtëpitë familjare të paraqitura si ambienti më i zakonshëm për përdorimin e drogës gjatë periudhës në fjalë (85% e të anketuarve në sondazhin BE-Zvicër dhe 72% në Ballkanin Perëndimor), një mostër kjo e theksuar nga mbylljet e lidhura me COVID-19 dhe mbyllja e ambienteve të argëtimit gjatë natës.

“Motivimi për konsumimin e substancave të ndryshme hedh pak dritë mbi këto rezultate”, thotë EMCDDA në një raport të publikuar nga agjencia e lajmeve “Lusa”, transmeton Zeri.info, duke theksuar se “më të përmendurat për konsumimin e kanabisit ishin relaksimi dhe përmirësimi i gjumit, ndërsa për MDMA/ekstazën ishin efektet e saj euforike dhe socializuese”.

Observatori thekson se studimi synon “të përmirësojë të kuptuarit e modeleve të konsumit të drogës në Evropë dhe të ndihmojë në përcaktimin e politikave dhe ndërhyrjeve të ardhshme” për këtë problem.

Sipas përgjigjeve në internet, nga 48.469 të rritur në 21 Shtete Anëtare dhe Zvicër, kanabisi ishte droga më e përdorur, me 93% të përdoruesve që thanë se e kishin përdorur atë në 12 muajt e fundit dhe me pak ndryshime midis vendeve.

MDMA/ekstazia, nga ana tjetër, ka një përqindje konsumi prej 35%, kokaina 35% dhe amfetamina 28%, duke u shfaqur si substancat e paligjshme më të raportuara pas kanabisit, “me renditjen e tre drogave që varion nga vendi në vend”.

Sondazhi zbuloi se një e pesta (20%) e kampionit raportoi se kishte konsumuar LSD në vitin e kaluar, 16% përdorën substanca të reja psikoaktive (NSP) dhe 13% ketaminë (një anestetik me aplikim hipnotik dhe aspekt analgjezik).

Përdorimi i heroinës u raportua nga tre për qind e të anketuarve, thotë Observatori me bazë në Lisbonë, duke vënë në dukje se, “ndonëse mostra që raportoi përdorimin e heroinës ishte e vogël, më shumë se një e katërta e këtyre të anketuarve (26%) treguan se kishin përdorur më shumë heroinë në periudhën e studiuar”.

Të dhënat e paraqitura sot i referohen një kampioni të përzgjedhur vetë që përdori të paktën një drogë të paligjshme në 12 muajt para anketës, shpjegon EMCDDA.

Agjencia Evropiane për Studimin dhe Analizën e Fenomenit të Drogës thekson se “ndonëse anketat ‘online’ nuk janë përfaqësuese të popullatës së përgjithshme, kur kryhen me kujdes dhe kombinohen me metodat tradicionale të mbledhjes së të dhënave, ato mund të ndihmojnë për të nxjerrë një informacion më të detajuar, me realist dhe më të azhurnuar të konsumit dhe të tregjeve të drogës në Evropë”, duke shtuar se më shumë se 100 organizata morën pjesë në iniciativë, duke përfshirë pikat qendrore kombëtare të rrjetit “Reitox” (pikat qendrore/organet zyrtare në çdo vend), universitetet dhe OJQ-të.

Në të njëjtin dokument, drejtori i EMCDDA-s, Alexis Goosdeel, thekson se “anketat në internet janë një përbërës thelbësor në monitorimin e fenomenit të drogës në Evropë”.

“Ato na ndihmojnë të targetojmë një popullatë të rëndësishme të synuar përmes metodave inovative ‘online’. Rezultatet aktuale zbulojnë gamën e gjerë të drogave të disponueshme në të gjithë Evropën dhe ofrojnë njohuri të vlefshme për tendencat në zhvillim dhe ndryshimin e modeleve të konsumit gjatë pandemisë COVID-19. Këtë herë, 100 organizata na u bashkuan në hartimin, përkthimin dhe shpërndarjen e sondazhit, duke u siguruar që ai tani është një instrument i rëndësishëm për të ndihmuar në përshtatjen e përgjigjeve tona dhe në formësimin e politikave të ardhshme të drogës”, thotë Goosdeeli.

Observatori thekson se, në vitin 2021, tri vende të së ashtuquajturës Politikat Evropiane të Fqinjësisë (Gjeorgjia, Libani, Ukraina) gjithashtu morën pjesë në sondazh për herë të parë, përmes një projekti të asistencës teknike të EMCDDA-s dhe këto rezultate do të publikohen në pranverë të këtij viti.

Në vendet jashtë BE-së, EMCDDA bashkëpunoi në anketa me pikat kombëtare të kontaktit dhe me OJQ. /Zëri