Serbët në Kosovë protestojnë për shkak të mosorganizimit të referendumit në komunat e tyre
Foto: Laura Hasani / ilustrim

Serbët në Kosovë protestojnë për shkak të mosorganizimit të referendumit në komunat e tyre

Aktuale January 15, 2022 - 23:32

Qytetarët serbë të Kosovës do të protestojnë nesër në orën 12:00 në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës që nesër të mos organizohet referendumi për ndryshimet kushtetuese në fushën e drejtësisë në territorin e Kosovës, gjegjësisht në disa komunitete me shumicë serbe, por edhe nga pakënaqësia me vendimin e qeverisë serbe për të pranuar vendimin e Kosovës dhe që në mënyrë të organizuar t'i çojë serbët në qendrat e votimit në qytetet e Serbisë.

Iniciator i protestës është Iniciativa Qytetare “Mbijetesa e Serbisë” nga Mitrovica, ndërsa lideri i kësaj iniciative Aleksandar Arsenijeviq ka thënë për të përditshmen serbe “Danas” se protestën po e thirrin edhe për “shkeljen e Ligjit për Referendum, nenin 24, i cili përcakton qartë se referendumi duhet të mbahet në të gjitha qendrat e votimit ku janë mbajtur zgjedhjet”.

Protesta në Mitrovicë do të fillojë me tubim në shëtitoren në pjesën veriore të këtij qyteti, në ora 12:00. Aty është paraparë një fjalim i shkurtër dhe qytetarët do të drejtohen për në Urën e Ibrit ku do të paraqesin kërkesat e tyre. Gjithashtu, në orën 8:15 të mëngjesit është planifikuar të bëhen homazhe për themeluesin dhe liderin e vrarë të Iniciativës Qytetare opozitare “Serbi, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviq me ndezjen e qirinjve, sepse Ivanoviqi u vra para objektit të Iniciativës në veri të Mitrovicës pikërisht në atë orë, transmeton Zeri.info.

Kjo iniciativë u ka bërë thirrje të gjithëve në komunat me shumicë serbe në Kosovë që t’i bashkëngjiten protestës, dhe thonë se shumica prej tyre u kanë thënë se do të organizojnë një lloj proteste dhe do të dërgojnë mesazh, thotë ai. Arsenijeviqi nuk mund të thotë me siguri se ku do të organizohet gjithçka.

Ai thotë se referendumi nuk ka qenë temë në mesin e qytetarëve të Mitrovicës dhe Kosovës në përgjithësi, dhe beson se “qytetarët që nesër do të votojnë në Rashkë, ndoshta nën detyrimin e drejtorëve, nuk do të dinë se për çfarë votojnë, dhe do t’u duhet të votojë për ndryshimet kushtetuese”.

Sipas Arsenijeviqit, qëndrimi i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa e Serbisë” është që qytetarët e Serbisë të dalin në referendumin e nesërm dhe të votojnë “Jo”, domethënë të votojnë kundër ndryshimeve kushtetuese përmes së cilave bëhen zgjedhjet në gjyqësor.

Ai personalisht vendosi për një qëndrim të tillë sepse ndryshimi në zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në drejtësi duket e ngjashme me autonominë e Universitetit. “Jemi të vetëdijshëm se 30 vitet e fundit nuk e kemi pasur atë autonomi të Universitetit në zgjedhjen e dekanëve dhe rektorëve”, sqaron kreu i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe”.

Një pjesë e opozitës serbe po bën thirrje për të mos dalë në referendum, dhe një nga arsyet e këtij vendimi është se nuk do të organizohet votimi në Kosovë. Arsenijeviq beson se referendumi nuk duhet të bojkotohet, por nuk duhet pranuar rezultatet e votimit derisa të organizohet votimi në të gjitha vendvotimet, edhe në Kosovë.

Si argument për bojkotin ishte edhe fakti se referendumi po mbahet në ditën e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Arsenijeviqi deklaron se referendumi dhe shënimi i ditës së vrasjes së Ivanoviqit janë “dy raste të ndara”.

“Qytetarët me siguri do të shprehin pakënaqësinë e tyre për vrasjen e Oliver Ivanoviqit me një protestë njëorëshe në Serbinë qendrore. Ne në Mitrovicë me ndezjen e qirinjve në orën 8:15 të mëngjesit, sepse atëherë është vrarë Oliveri. Përpara ose pas protestës, qytetarët mund të gjejnë kohë për të votuar kundër ndryshimeve kushtetuese”, përfundoi Arsenijeviq. /Zëri