Petkoviqi jep shenja se referendumi nuk do të mbahet në Kosovë, thotë se ky vendim do të ketë pasoja
Foto: BetaPhoto

Petkoviqi jep shenja se referendumi nuk do të mbahet në Kosovë, thotë se ky vendim do të ketë pasoja

Aktuale January 15, 2022 - 18:38

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka vlerësuar sot se vendimi i Kuvendit të Kosovës për të penguar mbajtjen e referendumit të Serbisë për ndryshimin e Kushtetutës në komunat me shumicë serbe në Kosovë, do të ketë “pasoja të paparashikueshme".

Ai përmes një komunikate tha se Kuvendi i Kosovës ka hyrë në “një fazë të konfrontimit të hapur me popullin serb, duke u përpjekur të anulojë plotësisht të drejtat më elementare politike dhe civile të serbëve”.

“Le të mos mendojnë (kryeministri i Kosovës Albin) Kurti dhe ekstremistët e tij se do të mund t’ua ndalojnë serbëve të votojnë në Kosovë e Metohi në të ardhmen, veçanërisht në zgjedhjet e 3 prillit dhe se do të arrijnë të dekurajojnë këdo në luftën për mbijetesë dhe të drejtat e popullit serb në krahinën tonë jugore”, ka thënë Petkoviqi në një deklaratë, raporton Zeri.info.

Ai i vlerësoi shpjegimet nga Rezoluta e Kuvendit të Kosovës si “manifestin më të zakonshëm të dhunës politike dhe ekstremizmit”, si dhe realizim të “fushatës së represionit ndaj serbëve në Kosovë dhe Metohi që po vazhdon prej muajsh”.

Petkoviqi po ashtu vlerësoi se përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare nuk kanë vendosur që me kohë të bëjnë presion më të fortë ndaj Kosovës, për t'iu mundësuar serbëve të votojnë, por “u përmbajtën me deklarata dhe mesazhe retorike që strukturat politike të Prishtinës nuk i konsiderojnë të detyrueshme".

“Kjo i dha Kurtit mundësinë për të vazhduar pa u ndëshkuar fushatën e rrezikshme të destabilizimit të rajonit dhe pështyrjes në fytyrë të të gjithë atyre që po përpiqen ta bëjnë Ballkanin Perëndimor një zonë të zhvillimit demokratik dhe të prosperitetit ekonomik”, tha Petkoviqi.

Ai ka theksuar se popullit serb, me mbështetjen e OSBE-së, në të kaluarën i është garantuar e drejta e votës në zgjedhjet e shpallura nga Serbia. /Zëri