Mospajtime rreth draft-rezolutës mes LDK-së dhe kryeministrit Kurti
Foto: Laura Hasani

Mospajtime rreth draft-rezolutës mes LDK-së dhe kryeministrit Kurti

Aktuale January 15, 2022 - 15:40

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se kryeministri Albin Kurti e ka shkelur rezolutën për referendumin e Serbisë në Kosovës, duke mos e ndarë me deputetët.

Ai shtoi se nuk as kuptim që një kryeministër t’i kërkojë Kuvendit që këta të fundit t’i kërkojnë atij që të respektojë Kushtetutën.

Gashi duke ironizuar tha se ka frikë për frikën që po shfaq kryeministri Kurti në këtë rast, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, është detyrë e kryeministrit që të veprojë në raste të tilla pa e ngarkuar Kuvendin.

“Vet kryeministri e ka shkelur që në fillim që tha një rezolutë të përbashkët e që prezantoi një Rezolutë që ne nuk e kemi. Akoma nuk e kemi në posedim. E lexoj kryeministri, por besoj që pak nga ne mbajnë në mend se çfarë tha kryeministri, përveç një pike që mu duk pak më epike si pikë, ku kryeministri tha që Kuvendit t’i kërkojë kryeministrit që ta zbatojë Kushtetutën”.

“Nuk ka kurrfarë sensi dhe kuptimi kryeministër. Por ne jemi këtu për të diskutuar për çështje me interes shtetëror dhe nacional. Kur bëhet fjalë për këto diskutime ne jemi këtu të gjithë dhe kjo është një nga temat që ne jemi krejt bashkë dhe do të duhej që të ishim krejt bashkë, port çështja është se si të veprojmë drejtë”, tha ai.

“Të them të drejtën kjo është detyrë e kryeministrit. Kryeministri e ka për detyrë, obligim kushtetues, ligjor dhe politik që të veprojnë. Ka nevojë që të ketë një ombrellë nga Kuvendi , hajde ta diskutojmë këtë draft-rezolutë të shohim cilat janë pikat, të shtojmë edhe pikat e tona dhe t’ia japim atë mbështetje. Nuk po dal këtu që ta dobësoj kryeministrin. Nga mënyra se si tingëllonte e draftuar Rezoluta e hartuar nga kryeministri, tingëllonte i frikësuar, i dobësuar. Ka nevojë për këtë trimërinë nga Kuvendi, këtu jemi dhe mundemi me ia dhënë”.

“Nuk ka arsye që Parlamenti ta bëjë punën tënde. Nuk je kryeministër me korrespodencë, por je kryeministër i rregullt në të gjitha raste për të gjitha çështjet që të ngarkojnë me ligj dhe Kushtetutë. Këto janë detyrat e tua kushtetuese. Kryeministër po kam frikë për frikën që po reflekton sot ti në Kuvend”, u shpreh Gashi.

Gashi tha se rezoluta e lexuar nga Kurti thotë se Kuvendi i kërkon Qeverisë ta miratojë këtë rezolutë, ndërsa shtoi se nuk ka se si të ndodhë kjo që rezolutën e Qeverisë, kryeministri ta paraqesë si rezolutë të Kuvendit.

Pastaj foli edhe nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala nga LDK-ja, i cili tha se dokumenti i prezantuar nga Kurti është i nënshkruar nga shefja e GP të LVV-së, Mimoza Kusari Lila. Ai tha se proceduralisht është bërë gabim, dhe se kryeministri nuk ka të drejtë të lexojë projekt-rezoluta të deputetëve.

E kryeministri Kurti doli për sqarim, duke thënë se dokumenti i nënshkruar nga Kusari-Lila nuk ka asnjë presje dallim nga qëndrimi i tij dhe se është i shkruar nga të dy bashkë. Ai tha se mund ta bëjmë edhe një herë këtë procedurë dhe të harxhojmë nja 240 faqe e të humbim kohë për ta lexuar dokumentin e njëjtë deputetja Kusari-Lila.

Në fund, LDK-ja ka kërkuar që rezolutës së propozuar nga LVV-ja dhe Qeveria t’i shtohet një pikë.

Sipas shefit të GP të LDK-së, Arben Gashi, pika që propozohet t’i shtohet rezolutës është që “Kuvendi kërkon nga Qeveria të përdorë praktikat më të mira ndërkombëtare e të jetë në koordinim me partnerët strategjikë në interes së ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe sovranitetit”.

Pas përfshirjes së pikës, Gashi ka thënë se LDK-ja do ta votojë rezolutën.

AAK-ja ka dalë pro rezolutës së shkruar nga LVV-ja.

Kuvendi tashmë ka shkuar në pauzë për të harmonizuar qëndrimet e Grupeve Parlamentare për sa i përket tekstit të rezolutës. /Zëri