LDK: Podujeva miratoi buxhetin i cili siguron pagesën e punëve të kryera në fushatë

LDK: Podujeva miratoi buxhetin i cili siguron pagesën e punëve të kryera në fushatë

Aktuale January 14, 2022 - 21:40


Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Podujevë, ka thënë se "koalicioni LVV-PDK" në kuvendin e komunës së Podujevës ka miratuar sot Projektbuxhetin për vitin 2022, i cili, sipas kësaj partie, është "i dizajnuar për t’i kthyer borxhet e avantazheve të kërkuara gjatë fushatës".

"Nuk mund të quhet zhvillimor, një buxhet në të cilin rriten shpenzimet operative dhe proporcioni në mes të shpenzimeve operative me atyre kapitale është afersisht 69.5% me 29.5%. Buxheti i miratuar sot nuk siguron zhvillim e as mirëqenie, por administron probleme dhe projektete për të cilat qytetarët u mashtruan vetëm dy muaj më parë", ka akuzuar LDK-ja.

Sipas kësaj partie opozitare, e cila nuk e votoi Buxhetin, LVV-ja, gjatë gjithë opozitarimit të tyre kishin kërkuar buxhet për projekte zhvillimore, ndërsa sot miratuan buxhet, i cili nuk parasheh rritje për bujqësinë, si fusha kyçe për zhvillim ekonomik. Ndërsa, sipas LDK-së, as që parasheh mbështetjen e fermerëve për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.

"Po ashtu nuk parashihen investimet e nevojshme infrastrukturë e modernizim të hapësirave shkollore dhe nuk ka plan për përmbushjen e obligimeve që burojnë nga Kontrata Kolektive, premtim me të cilin ua dha punëtorëve të arsimit", ka thënë më tej kjo parti.

LDK-ja thotë se në të gjitha vitet e mëhershme, LVV si opozitë nuk votoi buxhetet me arsyen se nuk janë të specifikuara rrugët të cilat do të asfaltoheshin, ndërsa sot thotë se miratuan një buxhet pa specifikim.

"Ky është një buxhet i centralizuar, në vend që të ishte i decentralizuar, kjo për faktin se shtatë programe në kategorinë mallra dhe shërbime janë pa planifikim të buxhetit", ka theksuar në fund LDK-ja, Dega në Podujevë. /Zëri