PDK-ja nuk shkon në seancën e thirrur nga Kurti për referendumin

PDK-ja nuk shkon në seancën e thirrur nga Kurti për referendumin

Aktuale January 14, 2022 - 19:30

Partia Demokratike e Kosovës s’do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku do të diskutohet për referendumin e Serbisë në Kosovë. Kuvendi konfirmoi se kjo seancë do të mbahet këtë të shtunë në orën 14:00.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së në parlament, Abelard Tahiri, thotë se kryeministri Albin Kurti po i shmanget përgjegjësisë.

Sipas Tahirit një seancë e tillë, është krejtësisht e pa nevojshme.

“Lidhur me zhvillimet politike që kanë karakterizuar ditën e sotshme, Kryetari Memli Krasniqi ka shprehur qëndrimin e qartë të PDK-së, rreth çështjes së mbajtjes së referendumit të Serbisë, brenda territorit të Republikës së Kosovës. Qëndrimi i tyre është tashmë i njohur, ku për ne, organizimi dhe mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë, përbën një shkelje të sovranitetit dhe rendit tonë kushtetues.

Në këtë kuadër, ne i kemi paraprirë dhe kemi mbështetur qasjen për të mos lejuar organizimin e këtij referendumi. Do të dëshironim që Qeveria të kishte pasur një koordinim më të mirë me vendet e QUINT dhe vecmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në raport me këtë çështje, sepse kërkesa nga Republika e Serbisë drejtuar Republikës së Kosovës përmes OSBE-së, ka ardhur në Dhjetor.

Tutje, ai tha se gjatë tërë kësaj kohe do të duhej ta shihnim një ofenzivë diplomatike të Qeverisë dhe Presidentes, në mënyrë që t’i bindin parnerët tanë që një kërkesë e tillë cenon rend, rendin tonë kushtetues.

“Fatkeqësisht qeveria ka vendosur të mos e bëjë një gjë të tillë. Por përkundër kësaj, kjo çështje tashmë ka epilog. Megjithatë, edhe pse e kemi një qëndrim të qeverisë, Qeveria dhe mazhoranca, kanë bërë thirrje për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për nesër, për ta shtruar këtë temë edhe brenda Kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës e sheh krejtësisht të panevojshme thirrjen e seancës se nesërme dhe nuk do të marrë pjesë.

“Ne i kemi dhënë mbështetje një parimi, të cilin qeveria e ka shtyrë përpara dhe mendojmë se kjo nuk ka nevojë të prodhojë debat të mëtejmë. Prandaj, e konsiderojmë të panevojshme mbajtjen e një seance të tillë, e cila është përpjekje për shmangie të përgjegjësisë nga ana e Qeverisë. I bëjmë më dije kryesministrit se zbatimi i ligjeve dhe vendimeve që rrjedhin nga ligjet është përgjegjësi kushtetuese e Qeverisë dhe jo Kuvendit. Për më tepër, rendi ynë kushtetues nuk mund të mbrohet me Rezoluta. Qeveria I ka të gjitha instrumentet në dorë për të mbrojtur rendin tonë kushtetutes dhe për ti qendruar mbrapa vendiimeve të saj. Partia Demokratike e Kosovës respekton të drejtat kushtetuese të të gjithë qytetarëve të saj pa dallim, po aq sa edhe mos cenimin e rendit tonë kushtetues dhe sovranitetit tonë shtetëror.