Heqja e vizave për Kosovën gjatë presidencës franceze? Flasin Florian Bieber dhe Viola von Cramon
Foto:AP

Heqja e vizave për Kosovën gjatë presidencës franceze? Flasin Florian Bieber dhe Viola von Cramon

Aktuale January 12, 2022 - 15:36

Franca, njëra nga shtetet kyçe në Bashkimin Evropian, ngurron për heqjen e vizave për kosovarët. Ky shtet e kryeson presidencën e BE-së në gjashtë muajt e ardhshëm dhe mundësia që liberalizimin e vizave për Kosovën ta vendosë në agjendë është e vogël. Kështu të paktën shprehen njohësi i çështjeve të Ballkanit, Florian Bieber dhe eurodeputetja, Viola von Cramon.

Bieberi tha se Franca është vend kyç në bllokimin e liberalizimit të vizave dhe zgjedhjet presidenciale atje e shtojnë dyshimin. Eurodeputetja Viola von Cramon thotë se francezët kundërshtojnë heqjen e regjimit të vizave për kosovarët dhe për këtë shkak s’ka marrëveshje mes 27 vendeve anëtare që kjo çështje të vendoset për votim në Këshillin e BE-së.

Gazeta Express ka provuar të marrë një qëndrim nga Ministria e Jashtme e Francës dhe nga përfaqësuesi i përhershëm i Francës në Bruksel lidhur me këtë çështje por të njëjtit s’janë përgjigjur.

Sipas të dhënave nga Ambasada Gjermane në Prishtinë, mbi 56 mijë kosovarë kanë aplikuar për viza pune vetëm gjatë muajit dhjetor nga 460 terminë sa janë në dispozicion. Kjo shifër e lartë s’përfshin edhe aplikimet për llojet e tjera të vizave, për të cilat qytetarët e Kosovës duhet të aplikojnë tash e sa vjet nëpër ambasada, kjo për faktin se Kosova është i vetmi vend në rajon ndaj të cilës aplikohet regjimi i vizave nga shtetet e BE-së.

Franca si një nga vendet kyçe në BE, nga 1 janar kryeson presidencën e Këshillit të BE-së, institucion ky ku edhe votohet ndër të tjera heqja e vizave për zonën Shengen për shtetet jashtë BE-së.

Profesori universitar, Florian Biber është skeptik nëse Franca do ta çojë përpara në Këshill heqjen e vizave për kosovarët marrë parasysh zgjedhjet presidenciale që do të mbahen atje gjatë prillit atje.

“Do të isha skeptik, pasi Franca është vend kyç në bllokimin e e liberalizimit dhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale nuk janë mjedis pozitiv. Veçanërisht në kohën kur sfiduesit kryesorë janë nga spektri i së djathtës ekstreme ose konservatorët. Prandaj, do të prisja ndonjë mundësi pas zgjedhjeve. Do të varet nga bashkëpunimi francezo-gjerman për reformimin e BE-së dhe gjetjen e një agjende të përbashkët dhe për atë se si Gjermania mund ta ulë Francën në tavolinë për ta vlerësuar këtë si çështje të rëndësishme si pjesë e zgjerimit”, tha Bieberi për gazetën Express.