Aktakuzë ndaj Skender Hysenit për mosdeklarim të pasurisë

Aktakuzë ndaj Skender Hysenit për mosdeklarim të pasurisë

Aktuale January 11, 2022 - 15:38

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Skender Hysenit, të cilin e akuzon se në cilësi të ish-koordinatorit shtetëror për dialog në Zyrën e Kryeministrit, nuk e ka bërë deklarimin e saktë të pasurisë.

Sipas aktakuzës së përpiluar në dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkon Hysenin se në formularin për deklarim të pasurisë nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara, duke mos deklaruar një veturë të tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.

Aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” rezulton të jetë përpiluar më 10 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, rezulton se më 14 gusht 2020 në Prishtinë, Skender Hyseni po akuzohet se në cilësi të zyrtarit të lartë publik – koordinator shtetëror për dialog në Zyrën e Kryeministrit, me dashje nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë me rastin e marrjes së detyrës koordinator shtetëror për dialog në Zyrën e Kryeministrit, të dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).

Aktakuza thotë se Hyseni nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volkswagen”, viti i prodhimit 2013, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.

Me këto veprime Prokuroria e ngarkon të akuzuarin Skender Hyseni se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga Neni 430, paragrafi 2 i Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfillë urdhrin, vendimin ose aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit.