Sindikata e Infermierëve kërkon garanci në lidhje me koeficientin në Ligjin për Paga

Sindikata e Infermierëve kërkon garanci në lidhje me koeficientin në Ligjin për Paga

Aktuale December 02, 2021 - 15:36

Përfaqësuesit e Sindikatës së Infermierëve të Kosovës në konferencë për media para Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas takimit me Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, thanë se kanë trajtuar temat për Ligjin e Pagave, koeficientin e pagave për komunitetin e infermierëve, mamitë e profesionistët e tjerë shëndetësorë dhe për veprimet dhe masat sindikale.

Kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Përparim Berisha, tha se me deputetët, Fatmire Kollqaku dhe Mirsad Shkreta, diskutuan për mundësinë e prurjes së Ligjit të Pagave, ku njoftoi se ky ligj do të jetë në Kuvend në fillim të vitit të ardhshëm.

“Koeficientet diskriminuese, të cilat i rrëzoi Gjykata Kushtetuese, nuk do të jenë, po do të jenë më të mëdha dhe ashtu siç kemi kërkuar ne”, deklaroi Berisha.

Edhe nënkryetari Enlirat Duraku tha se atyre iu ofrua garanci e mbështetje lidhur me koeficientin e punëtorë shëndetësorëve.

“U ofrua edhe partneritet, në mënyrë që kërkesat e infermierëve, tendencat e jashtme të paraqitjes si komunitet i ndikueshëm ndaj faktorëve të tjerë të bien poshtë, pasi ne si organizatë e kemi kundërshtuar procedimin e ligjit aktual, të cilin Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm”, deklaroi Duraku.

Tutje, Përparim Berisha njoftoi se shtesat rreth 60 euro do të vazhdojnë deri në fillimin e implementimit të Ligjit të Pagave. /EO