Prokuroria paralajmëron ankim në Supreme ndaj vendimit të Apelit për lirimin e Haki Rugovës

Prokuroria paralajmëron ankim në Supreme ndaj vendimit të Apelit për lirimin e Haki Rugovës

Aktuale December 02, 2021 - 15:33

Prokurori i rastit, Ali Uka, ka paralajmëruar se do të ushtrojë kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë ndaj aktgjykimit lirues të Gjykatës së Apelit, ndaj ish-kryetarit të Istogut, Haki Rugova.

Një gjë të tillë prokurori Uka e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, i cili tha se ankesën do ta paraqesë sapo ta marrë vendimin.

“Posa ta marr vendimin do të paraqes kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme”, tha Uka.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar dje ekskluzivisht se Gjykata e Apelit e ka liruar nga aktakuza ish-kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova, i cili nga Gjykata Themelore në Pejë ishte dënuar me burgim efektiv në kohëzgjatje prej një viti për konflikt interesi në nënshkrimin e tenderit për vëllain e tij.

Sipas këtij aktgjykimi, rezulton Gjykata e Apelit ka gjetur se në veprimet e Rugovës nuk kishte dashje për kryerjen e veprës penale, pasi nënshkrimi i tij nuk mundësoi realizimin financiar për dhënien e tenderit.

Ndryshe, në qershor të këtij viti i akuzuari Rugova ishte dënuar nga Gjykata Themelore neë Pejë me një vit burgim dhe ndaj tij ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues dhe atë, ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në afat prej një viti.

Kundër këtij aktgjykimi kishte parashtruar ankesë avokati Besnik Berisha, pasi sipas tij aktgjykimi përmban shkelje të procedurës penale dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, ndërsa Prokuroria e Apelit kishte dhënë propozim të refuzohej si e pabazuar ankesa e avokatit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 26 mars të vitit 2018, Haki Rugova akuzohej se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” SHPK për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

Në aktakuzë thuhet se në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” SHPK, drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289 mijë e 119 euro e 85 centë.

Organi i akuzës pretendonte se me anë të këtyre veprimeve i akuzuari Rugova i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të “Konfliktit të interesit”.

Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, përkatësisht ajo i ishte deleguar prokurorit Haxhi Sinanaj.

Por ky i fundit, më 17 janar 2018, me shkresë i ishte drejtuar kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë Ali Selimajt dhe pas konsultimit me kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, si dhe Agim Kurmehaj, lënda është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

“Arsyeja e dërgimit në kompetencë të kësaj çështjeje juridike penale për të pandehurin Haki Rugova, është fakti se me të njëjtin që një kohë të gjatë njihemi dhe jemi në raporte shoqërore, andaj për të qenë një hetim i drejtë dhe i pavarur, pas konsultimit me kryeprokurorin e Apelit dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, jemi dakorduar që këtë çështje penale ta dërgojmë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, kishte shkruar prokurori Haxhi Sinanaj.

Ndryshe, Haki Rugova në zgjedhjet lokale të vitit 2017 kishte fituar edhe një mandat tjetër, për herë të tretë, në krye të Komunës së Istogut.